PDK në Ferizaj garon me katër kandidat për deputet

Elmi Reçica, Agim Aliu, Lulëzim Aliu dhe Mexhide Topalli janë kandidatët e PDK-së nga qyteti i Ferizajt. Këshilli i degës atje ka votuar që këta të jenë pjesë e listës së deputetëve por se i mbetet Këshillit të Përgjithshëm të partisë që të votoj listën përfundimtare.

Lajme

12/05/2014 17:50

Këshilli i degës së PDK-së në Ferizaj ka nominuar katër kandidatë që do të jenë pjesë e listës së këtij subjekti në garën zgjedhore për Kuvendin e Kosovës. Elmi Reçica, Agim Aliu, Lulëzim Aliu dhe Mexhide Topalli, janë emrat që kanë marrë mbështetjen e Këshillit të Degës.

Reçica dhe Aliu janë votuar me aklamacion, ndërsa dy kandidatët e tjerë i janë nënshtruar procedurës së votimit.

Kryetari i degës së PDK-së, Agim Aliu, ka thënë për KosovaPress, se procesi ka shkuar në rregull dhe se me këtë rast është respektuar demokracia e brendshme e partisë.

Ai ka shtuar se emrat e këtyre katër kandidatëve do të jenë në kombinim, mirëpo i mbetet kryetarit të partisë dhe Këshillit të Përgjithshëm që të votoj listën përfundimtare.

“Ky ka qenë vullneti i KD-së, ne degën tonë ka kuadro të bollshme për të marrë përgjegjësi. Besojmë se pas këtyre zgjedhjeve Ferizaj do të fuqizohet edhe më shumë, ngase tashmë e kemi edhe premtimin e kryetarit të partisë Hashim Thaçi”, ka thënë Aliu.

Deri më tani edhe dega e AAK-së në Ferizaj ka nominuar kandidatët për listën e këtij subjekti. Xhavit Zariqi, Muhamet Halili dhe Izet Rushit, janë tre emrat që do të jenë pjesë e listës së AAK-së. Pritet që shumë shpejtë edhe subjektet tjera të dalin me emrat e kandidatëve të mundshëm.

(Kosovapress)