Peja nderoi dëshmorët me akademi përkujtimore

Për nder të 15 vjetorit të rënies së më shumë se 110 dëshmorëve në katër fshatra të Pejës, të mërkurën pasdite në këtë qytet është mbajtur një akademi përkujtimore. 

Lajme

14/05/2014 21:54

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tha gjatë kësaj akademie se këta dëshmorë na e kanë falë lirinë dhe se për ta fituar atë është dashur të bëhet shumë mund.

Sipas Haradinajt, vepra e tyre mbetet një udhërrëfyes për punën e përditshme të atyre që janë gjallë.

 “Edhe në ditët e sotme ka, ka pasur dhe do të ketë mjegull dhe njerëzit që e përhapin mjegullën. Por çdo herë shqiptaria dhe Kosova ka pasur njerëz që kanë qenë roje të së vërtetës. Edhe ata nuk kanë lejuar asnjëherë, askënd, kurrë që mjegulla të triumfojë”, ka thënë Haradinaj, raporton KosovaPress.

Për kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxhiri, dëshmorët e rënë në këto fshatra do të mbesin gjithmonë në shërbim të lirisë.

“Ata e kanë kryer detyrën njerëzore ndaj atdheut, ndaj popullit dhe ndaj Zotit. Atyre nuk u duhen shënime përvjetorësh e as akademi përkujtimore, por ne kemi nevojë për to. Të gjallët dhe brezat që do të vijnë kanë nevojë që ti përkujtojnë këta martirë në këto akademi përkujtimore”, ka thënë Muhaxhiri.

Gjatë ditës, në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq e Llabjan janë bërë edhe homazhe.