Për AAK-në Thaçi po e fundos Kosovën

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se mënyra e qeverisjes me paranë publike nga Qeveria e Kosovës, po e çon vendin drejtë një kolapsi financiar. 

Lajme

13/05/2014 14:02

“Derisa në vitin që lamë pas, kjo qeveri dështoi në inkasimin e të hyrave buxhetore për 147 milionë euro ose 10% më pak se sa buxheti i aprovuar në këtë vit, e ka filluar me shpenzime të pakontrolluara dhe të jashtëligjshme dhe premtime pa mbulesë, me çka vendin po e çon drejt kolapsit dhe falimentimit”, ka thënë sot në një konferencë për media, Haki Shatri, kryesues i Departamentit për Buxhet e Financa në AAK. 

Ish ministri Shatri ka thënë se dështimi në inkasimin e të hyrave është si pasojë e përfshirjes së strukturave qeveritare në krimin ekonomik të organizuar, ndërhyrjes së paligjshme të qeverisë/implikimit të strukturave më të larta/ në proceset e privatizimit, dështimit të sistemit të drejtësisë në mbrojtjen nga ndërhyrjet e paligjshme në biznesin privat, informalitetit në rritje te ekonomisë, korrupsionit dhe keqmenaxhimit me paranë publike.

“Si rezultat kemi dështim në inkasimin e të hyrave për 147 milion euro, nga të cilat nga tatimet dhe doganat për mbi 76 milon euro, të hyrave vetanake për mbi 40 milion euro dhe në të hyra tjera për rreth 30 milion euro. Të hyrat do të ishin edhe më të vogla po të mos ishin të hyrat e njëhershme nga shitja e Distribucionit për 26 milion dhe të hyrat nga dividentat/Posta 40 dhe Kosst 3 milion euro”. 

“Si pasojë, kemi dështim në pagesën e pagave për mbi 20 milionë euro, M&Sh për 21 milionë, Subvencione dhe transfere për 8 milionë dhe më e keqja mosrealizimi i projekteve kapitale për mbi 98 milionë euro. Rezervat e domosdoshme janë zvogëluar nga 278 milionë në 211 milionë euro. Ka edhe shumë obligime të pakryera ndaj operatorëve ekonomik të cilët kanë kryer punët kontraktuese, por qeveria nuk po ua paguan situacionet. Në shumicën e rasteve të pagesave ato bëhen në mënyrë selektive, pra për mbështetësit ose donatorët e partisë në pushtet”. 

AAA vlerëson se në vend kanë rënë edhe të hyrat buxhetore. 

“Të hyrat në vitin 2013, jo vetëm që janë më të ulëta se sa buxheti i aprovuar për këtë vit, por janë më të ulëta edhe se sa të hyrat e vitit 2012. Dështimi në inkasimin e borxheve në rritje ndaj shtetit dhe lirimi selektiv nga këto obligime janë një tjetër veprim i paligjshëm i kësaj qeverie me paranë publike”. 

Shqetësim kjo parti ka shprehur edhe për shpenzimet e pakontrolluara që sipas tyre po i bënë qeveria në largim e kryeministrit Thaçi.

“AAK shprehë shqetësimin e saj lidhur me rrezikun serioz të stabilitetit buxhetor të vendit dhe sidomos tani pas shpërndarjes së Kuvendit, kur Qeveria në ikje po realizon shpenzime të paautorizuara për qëllime fushate parazgjedhore. AAK ia tërheqë vërejtjen Qeverisë në ikje të Hashim Thaçit që të ketë kujdes, sepse për veprime të paligjshme me paranë publike do të japin përgjegjësi para drejtësisë”.