Për reformën zgjedhore vendos Kuvendi

Komsioni ad-hoc do ta sjellë raportin për reformën zgjedhore, në seancën e radhës në Kuvendin e Kosovës, ku pritet të vendoset përfundimisht se a do të mbahen zgjedhjet me reformë apo pa të.

Lajme

27/01/2014 14:02

Kryesia e Kuvendit ka vendosur sot, që në seancën e radhës të Kuvendit e cila do të mbahet të enjten, të debatohet për raportin e komisionit për reformë zgjedhore.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se nga këto debate do të varet se a do të mbahen zgjedhjet me apo reformë zgjedhore.

“Varet nga raporti që do ta sjellë komisioni në seancë edhe pse ky komision në fakt është dashur që kohë më parë ta kryej detyrën e vet dhe t`i raportojë Kuvendit”.

“Ne e kemi një debat që ka të bëjë me raportimin e Komisionit për Reformën Zgjedhore dhe ndoshta nga debati më së miri do të shihet se cili do të jetë fati i kësaj reforme dhe a do të shkohet me apo pa reformë edhe në zgjedhjet e ardhshme”.

Ndërsa Shefi i GP të PDK`së, Adem Grabovci, ka thënë se çështja e reformës zgjedhore duhet të zgjidhet me një marrëveshje politike.

“Pjesa e materies që është ftuar për diskutim ne vlerësojmë se është një materie e paqartë. Duhet të përpunohet, megjithatë, në emër të përshpejtimit të hartimit të ligjit apo të përfundimit të reformës zgjedhore, ne frikësohemi se po futemi në qorr sokak dhe do t`i marrim kohë vetës edhe më shumë”.

“PDK ka qëndrimet e veta të qarta, së pari të përfundojë reforma, pasta të përgatitet Ligji Zgjedhor, pastaj të diskutojmë për përcaktimin e datës se kur do të mbahen zgjedhjet. Jam shumë skeptik që ne mund tani të flasim për datën e saktë, se kur do të mbahen zgjedhjet”.

“Duhet të ketë takime të liderëve, kjo reformë nuk do të përfundojë pa një marrëveshje politike këtë duhet ta kemi të gjithë të qartë. Pa një marrëveshje politike nuk mund të ketë përfundim”.

Grabovci gjithashtu ka thënë se çështja e ulëseve të rezervuara duhet të zgjidhet me marrëveshje politike.

Ndërkohë, Kryetari i GP të LDK`së, Ismet Beqiri ka thënë se subjekti i tij është i gatshëm që të bëhen reforma, por pa e prekur Kushtetutën, pasi sipas tij, prekja e Kushtetutës do të kishte implikime për vendin.

“Kryetari i komisionit ad-hoc që ka qenë për reformën zgjedhore, shpresojmë ta sjellë një material më të detajuar.

“Ne nuk jemi të gatshëm dhe nuk pranojmë që të bëhen reforma kushtetuese se çfarë është menduar në fillim, sepse edhe koha edhe mundësitë edhe vullneti i ynë nuk është që të preket tash Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sepse do të kishte implikime jo të mira për vendin”.

“Janë përmendur disa afate apo disa kohë, është përmendur qershori, shtatori, por nuk përjashtohet edhe më shpejt se të dyja këto, çdo gjë është e mundshme”.

Ndërsa Kryetari i GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka kërkuar një raport më të detajuar nga komisioni për reformë zgjedhore.

“Lëvizja Vetëvendosje konsideron që komisioni domosdoshmërish duhet ta dorëzojë raportin dhe të gjithë historikun e punës së vet. Të na tregojë veçanërisht pse disa çështje që është dashur të diskutohen nuk janë diskutuar dhe cilat kanë qenë pengesat dhe sfidat e punës së këtij komisioni”.

“A kanë qenë ato politike nga brenda Kuvendit apo jashtë Kuvendit dhe pastaj për ato që ka arritur Kuvendi të diskutojë, të merret vesh se si janë zhvilluar këto ngjarje”.