Për Vlora Çitakun, Kosova ka përmbushur kriteret për viza
Ministrja Vlora Çitaku thotë se Kosova ka përmbushur çdo detyrim që derivon nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, dhe rekomandimet e misionit të parë që ka qëndruar në Kosovë vitin e kaluar.

Lajme
Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku beson se Kosova ka përmbushur detyrimet e saja karshi Komisionit Europian për liberalizim të vizave.
Pas takimit me Christian Danielsson, Drejtor i Përgjithshëm i Zgjerimit të Komisionit Europian, Çitaku ka thënë se procesi i liberalizimit të vizave është proces që ndërlidhet me përmbushjen e kritereve, dhe s’ka të bëjë me afate kohore.
Por ajo nuk mund t’i harrojë deklaratat e Deputetes së Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek, e cila kishte deklaruar se Kosova duhet ët presë shumë vite derisa ta marrë liberalizimin.
“Deklarata e tillë e zonjës Lunacek për mua personalisht ka qenë befasuese, megjithatë ajo çfarë mund të konstatoj është që ne po bashkëpunojmë me Komisionin Europian. Komisioni Europian është bashkëbiseduesi ynë në këtë proces”.
“Procesi i liberalizimit të vizave nuk është proces që ndërlidhet me afatet kohore por me përmbushjen e kritereve. Por, kjo përmbushje e kritereve duhet të verifikohet dhe të vlerësohet dhe në fund fare duhet të pranohet nga ana e Komisionit Europian”.
“Kosova beson se ka përmbushur çdo detyrim që derivon nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, dhe rekomandimet e misionit të parë që ka qëndruar në Kosovë vitin e kaluar”.
“Brenda muajit mars presim ekipe tjera që do të vlerësojnë punën dhe përmbushjen e detyrimeve në dy blloqe tjera. Më pas do të kemi një raport të ri të Komisionit Europian, i cili, unë besoj bazuar në punën që është bërë, do të jetë raport pozitiv për Kosovën”.
Në anën tjetër, Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Komisionit Evropian, Christi Danielson, tha se takimet për negociata kanë qenë konstruktive. Ai ka thënë se procesi i dialogut me Serbinë është një hap i rëndësishëm për integrimin Europian të Kosovës.
“Mund ta konfirmoj se kemi pasur një takim shumë konstruktiv sot, është një moment kur Kosova po merr hapa shumë të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit Europian. Duhet ta uroj zonjën Çitaku, Qeverinë e Kosovës për grupet e tyre në dialog me Serbinë që, natyrisht janë një element i rëndësishëm në këtë proces.
“Ne gjithashtu po diskutojmë edhe për procesin e Stabilizim-Asocimit dhe në të vërtetë jemi në negociata dhe po vijmë drejt fundit të tyre. Ato kanë qenë shumë konstruktive, do të kemi një takim teknik javën e ardhshme. Dhe mendoj se do t’i përmbyllim këto negociata në një të ardhme të shkurtër”.
Christian Danielsson është pritur sot edhe nga Presidentja e republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. E cila i ka thënë se avancimi i agjendës europiane dhe përmbushja e obligimeve që dalin nga ajo është prioritet i institucioneve dhe qytetarëve të vendit.
Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson, vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe theksoi se ky është një moment shumë pozitiv që duhet të mbahet. Ai tha se procesi i negocimit të MSA’së është thelbësor që duhet të përqendrohet në prioritetet e identifikuara si sundimi i ligjit, demokracia, qeverisja, reforma e administratës publike etj.
Danielsson është takuar sot edhe me Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi me të cilin bisedoi për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.
Kryeministri Thaçi e njoftoi bashkëbiseduesin nga Brukseli për hapat që ka ndërmarrë dhe po vazhdon të ndërmarrë Qeveria e Kosovës në përmbushjen e agjendës evropiane, përmes reformave në të gjitha fushat, veçanërisht në legjislacion dhe në zbatimin e tij.
Kryeministri Thaçi theksoi gatishmërinë e tij dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës për plotësimin e të gjitha kritereve për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe marrëveshjeve tjera me Bashkimin Evropian.