Perëndimi nuk i njeh rezultatet e referendumeve ilegale, sërish luftime në Ukrainë

Sipas agjencive të lajmeve në territoret Donjeck dhe Llugansk të Ukrainës, sot ka filluar referendumi i separatistëve për vetëvendosje, në kushtet e “operacionit special” të autoriteteve të Kievit kundër forcave pro-ruse në lindje të Ukrainës.

Bota

11/05/2014 11:24

Detonime të shumta të fuqishme janë dëgjuar mëngjesin e së dielës në Slaviansk. Gjatë natës janë dëgjuar edhe të shtëna, kurse raportohet se luftimet kanë vazhduar sot në Andrijovka, që gjendet në “vijën e frontit” dhe ku më 2 maj forcat ukrainase nisën aksionin e tyre antitetorrist, tha zëdhënësja e forcave të Ukrainës, Stela Horoçeva. Ajo ka shtuar se në përleshjet e sotme ka edhe viktima.

Në ndërkohë, SHBA-të dhe shtetet e BE-së kanë thënë se nuk do t’i njohin rezultatet e referendumit të sotëm në Lindje të Ukrainës.

Ky votim është \”ilegal sipas së drejtës ukrainase dhe paraqet tentim për krijimin e dallimeve dhe trazirave\”, deklaroi zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki.

\”Në qoftë se referendumi mbahet, do të shkelet e drejta ndërkombëtare dhe integriteti territorial i Ukrainës, SHBA-të nuk do të njohin rezultatet e këtyre referendumeve ilegale\”, përfundoi ajo.