Plan për Mitrovicën e Veriut

Sipas Besnik Osmanit nga MAPL, një plan i Prishtinës për komunën e Mitrovicës së Veriut është përgatitur dhe në të përfshihen të gjithë hapat që duhet të ndërmerren. Prishtina pret që të ketë reagime kundërshtuese ndaj komunës së re.

Lajme

08/11/2013 09:18

Qeveria parasheh që themelimi i komunës së Mitrovicës së Veriut nuk do të kalojë pa reagime dhe kundërshti, prandaj ajo është bërë gati t’u përgjigjet këtyre reagimeve.

Mësohet se në proces themelimi është edhe fondi për veriun që pritet të funksionalizohet me përmbylljen e procesit zgjedhor në këtë pjesë.

Autoritet kosovare kanë bërë gati një plan aksional për të përmbyllur procesin e themelimit të Mitrovicës së Veriut. Kjo pritet të shënojë edhe fundin e procesit të themelimit të komunave të reja sipas Pakos së Ahtisarit.

Besnik Osmani, sekretar i përhershëm i Ministrisë së Pushtetit Lokal i ka thënë Radio Kosovës se qeveria është përgatitur të merret edhe me reagimet e strukturave që vazhdojnë të kundërshtojnë krijimin komunës së re.

“Ne parashohim reagime, ndoshta jo nga strukturat e zgjedhura, por nga grupe të tjera të interesit apo individë që vazhdojnë të jenë kundër zgjedhjeve dhe themelimit të komunës. Megjithatë Qeveria e Kosovës së bashku me autoritet e Bashkimit Evropian janë përgatitur për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve që mund të shfaqen”, ka thënë Osmani.

Sipas Osmanit, plani aksional i qeverisë përfshin prej inaugurimit të komunës së re, deri te funksionalizmi i plotë i saj.

“Plani ka dy pjesë: pjesa e parë ka të bëjë me inagurimin e pushtetit lokal atje. Ndërsa pjesa e dytë ka të bëjë me funksionalizmin e këtyre institucioneve atje. Tërë përgatitjet e mundshme janë bërë përgatitja e udhëzimeve përkatëse, njerëzit që do të punojnë dhe buxheti përkatës “, ka thënë Osamni.

Aktualisht për Mitrovicën e Veriut nga buxheti i shtetit janë ndarë 6 milionë euro plus tri grante fillestare.

Gjithashtu mësohet se me ndihmën e Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE’së është në proces themelimi edhe Fondit për Veriun, i paraparë sipas marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Serbisë i cili pritet të funksionojë pas procesit zgjedhor.

Dokumenti për funskionalizmin e Komunës së Mitrovicës së Veriut përfshin ndarjen e të gjitha elementeve që përcaktojnë kufijtë mes komunave. Kjo radhit regjistrat kadastral, definimin e pronësisë, regjistrat civil, rregullimin e taksave dhe financave, lejet e ndërtimit dhe të gjitha dokumentet për projektet në proces.

Në plan gjithashtu përmendet çështja e investimeve të huaja, çështjet kulturore e të sigurisë si dhe ato sociale e shëndetësore. Në çështjet arsimore sipas dokumentit është i përfshirë edhe niveli universitar që nënkupton rregullimin ligjor të Universitet të Mitrovicës.

Ajo çka nuk është definuar ende as në këtë plan, as me ligjin për gjykatat është çështja e gjykatave që bien në territorin e përcaktuar për komunën e Mitrovicës së Veriut. (Radio Kosova)