Policia për një javë dënon 442 këmbësorë

Policia e Kosovës ka shënuar 442 gjoba për këmbësorët të cilët nuk kanë respektuar rregullat e komunikacionit, gjatë aksionit “Java e Sigurisë”. Ndërkaq gjatë gjithë tremujorit të parë të këtij viti ka shqiptuar 100,415 gjoba.

Lajme

13/05/2014 23:10

Policia e Kosovës më qëllim të ngritjes së sigurisë në komunikacion, ditëve të fundit nuk është treguar aspak tolerante për shkelësit e rregullave të trafikut.

Gjobave të policisë nuk i kanë shpëtuar as këmbësorët.

Sipas të dhënave të PK-së, në javën e parë të planit “Java e Sigurisë” në trafik (nga 1 deri më 7 maj) janë  shqiptuar 442 gjoba për gabimet e këmbësorëve gjate lëvizjes në trafik.

Ndërkaq, angazhimin e Policisë së Kosovës për siguri në trafik po e përkrahin edhe qytetarët.

Një qytetare nga Prishtina, e cila deshi të mbetet anonime, ka treguar se para dy ditësh Polica e Kosovës e ka dënuar atë për mosrespektim të rregullave.

“Me kanë dënuar me 15 euro, për shkak se nuk i kam respektuar rregullat, pasi që kam kaluar rrugën në vend jo të lejuar për këmbësorë. Policia po vepron drejt”, tha kjo qytetare për lajmi. net.

Ky angazhim i PK-së ka bërë që numri i tiketave gjatë tremujorit të parë të vitit 2014 të ketë ngritje prej 3.33%,në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2013.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë tremujorit të parë të këtij viti janë shqiptuar 100,415 gjoba, gjë që në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2013, i bie të ketë ngritje 3.33%, kur ishin shqiptuar 97,178 gjoba.

Baki Kelani, zëdhënës i PK-së, përmes postës elektronike, ka thënë për lajmi.net se rritja e dënimit për shkelësit e rregullave në komunikacion ka për qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe ruajtjen e jetës së qytetarëve.

“Policia e Kosovës nuk ka për qëllim ndëshkimin e qytetarëve, por ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik, andaj kërkon dhe njëherësh APELON tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, duke përfshirë edhe këmbësorët, që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor, si dhe t’iu përshtaten kushteve në rrugë dhe kushteve atmosferike gjatë ngasjes së automjeteve”.

“Policia njofton të gjithë qytetarët se do të vazhdoje të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, duke përfshirë edhe këmbësorët, me të vetmin qëllim – ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik, parandalimin e aksidenteve, në veçanti të atyre me pasoja fatale, pasi që shifrat e aksidenteve të tilla janë shqetësuese dhe shumë brengosëse”, tha Kelani, për lajmi.net.