Prishtina s’po na jep sqarime për zgjedhjet
Ivica Dacic kërkon që në Kosovë të mbahen zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Ai thotë se nuk i intereson se në çfarë forme ato do të mbahen. Sipas tij, çështja e zgjedhjeve serbe do të diskutohet edhe në raundin e radhës së Dialogut Kosovë-Serbi.

Lajme
Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka kërkuar që zgjedhjet parlamentare serbe të mbahen edhe në Kosovë.
Dacic ka thënë se këto zgjedhje nuk mund të organizohet pa mbështetjen e OSBE’së dhe BE’së, raporton RTS.
“Duam që këto zgjedhje parlamentare të organizohen në të njëjtën formë si ato të vitit 2012. Nuk kemi marrë ndonjë përgjigje të qartë nga udhëheqja në Prishtinë, nëse do të mbahen apo jo, ose a do të konsiderohen votime të diasporës”.
“Ata mund t’i konsiderojnë si të duan këto votime, e rëndësishme për ne është që ato të mbahen”.
Ai ka thënë se në raundin e radhës të Dialogut në Bruksel do të diskutojë me homologun e tij, Hashim Thaçin, për zgjedhjet serbe në Kosovë.
“Kemi vazhdimin e Dialogut me Prishtinën më 12 shkurt. Thaçi dhe unë do të flasim edhe në Mbledhjen e Këshillit të Sigurimit që mbahet më 10 shkurt, ku njëra ndër temat do të jetë edhe çështja e zgjedhjeve serbe në Kosovë”.
Në KS të OKB’së, Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki-Moon, do ta paraqesë raportin tremujor për Kosovën.