Projektligji për Mbrojtjen nga Zhurma do të riformulohet

Ministri Dardan Gashi dakorodohet me Myftiun Naim Tërnava për riformulimin e Projektligjit për Mbrojtjen nga Zhurma. Gashi thotë se futja e rregullimit të zërit gjatë thirrjes së ezanit vjen si pasojë e mungesës së Ligjit për bashkësitë fetare në Kosovë.

Lajme

03/02/2014 16:22

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, ka thënë se miratimi i Projektligjit  për Mbrojtjen nga Zhurmat nuk ka për qëllim ndaljen e ezanit, por rregullimin e nivelit të zërit.

Këto deklarata, Gashi i bëri gjatë një takimi me Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, të hënën, të cilët u dakorduan që të bëhet riformulimi i Projektligjit që ka të bëjë me objektet fetare.

Në një komunikatë  për media të MMPH’së, thuhet se  Ministri Gashi e ka sqaruar që Projektligji nuk ka frymë antifetare.

Sipas tij, futja e rregullimit të zërit gjatë thirrjes së ezanit në këtë Projektligj vjen si pasojë e mosmiratimit të ligjit për bashkësitë fetare në Kosovë.

“Ministri Gashi dhe nikoqiri Myftiu Tërnava në takim përveç tjerash biseduan edhe  për debatin e ngritur në opinion lidhur me Projektligjin për Mbrojtjen nga Zhurma, i cili u miratua në parim ditë më parë në Kuvendin e Kosovës”.

“Ministri Dardan Gashi tha se Ligji nuk ka të bëjë me ndalimin e ezanit, mirëpo përmes tij synohet të rregullohet në parim niveli i zërit dhe të mbrohen objektet fetare nga zhurma e jashtme”.

“Myftiu Tërnava dhe Ministri Gashi u dakorduan që Projektligji të riformulohet  dhe çështjet që kanë të bëjnë më objektet fetare të përgatiten bashkërisht me BIK, dhe ndryshimet e nevojshme të behën në komisionin përkatës”.

“Ministri Gashi  dhe  Myftiu Tërnava theksuan se nuk duhet politizuar feja për interesa politike dhe partiake. Bashkësia Islame e Kosovës ka të gjitha kapacitet e nevojshme që të adresojë çështjet që kanë të bëjnë me fenë në institucionet e vendit dhe bashkërisht të bëjnë më të mirën”.

“Ministri Gashi tha se Projektligjin për Mbrojtjen nga Zhurma assesi nuk ka frymë anti-fetare, por futja e rregullimit të zërit gjatë thirrjes së ezanit në këtë Projektligj është si pasojë e mosmiratimit të Ligjit për bashkësitë fetare të Kosovës. Shpresoj që me miratimin e Ligjit për bashkësitë fetare edhe kjo çështje do të rregullohet në atë Ligj dhe do të hiqet nga Ligji për Zhurmën”, thuhet në komunikatën e MMPH.