Prokurori i rastit “Brezovica” e kishte liruar një herë dorasin e vrasjes së shtatzënës tek QKUK

Rasim Maloku. Ky është emri i prokurorit më të përfolur të kohëve të fundit në Kosovë. Prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, nuk ishte hezituar që të cilësohej edhe si “Giovani Falcone i Kosovës”. Krejt kjo bujë rreth emrit të tij, ishte shkaktuar pasi që ai është ndër akterët kyç në ndjekjen e…

Lajme

01/12/2022 20:01

Rasim Maloku. Ky është emri i prokurorit më të përfolur të kohëve të fundit në Kosovë.

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, nuk ishte hezituar që të cilësohej edhe si “Giovani Falcone i Kosovës”.

Krejt kjo bujë rreth emrit të tij, ishte shkaktuar pasi që ai është ndër akterët kyç në ndjekjen e shkelësve të ligjit në rastin “Brezovica”, i cili është cilësuar si një operacion “i suksesshëm” në Prokurorinë ku ai punon.

Të shumta janë edhe konferencat në të cilat prokurori Maloku kishte dalë dhe ishte “krekosur” për mbarëvajtjen e operacionit në Brezovicë, e ku tregonte për gjësendet e sekuestruara e rrënimin e vilave.

Por përshtyja për Malokun mund të ndryshojë nga sot. Emri i tij, është lakuar nga mediumi “Kallxo.com” si prokurori që kishte liruar në procedurë të rregullt Sokol Halilin, burrin e dyshuar për vrasjen e ish-gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së.

Sipas raportimit, tanimë e ndjera, Hamide Magashi, kishte raportuar se kishte pasur dhunë nga Halili. Ajo përpos kësaj, në denoncimin e saj kishte thënë se disa herë me radhë ishte kërcënuar edhe me armë, pretendime këto që ishin mohuar nga Sokol Halili.

E në fund të korrikut të këtij viti, siç raporton kallxo, ishte bastisur shtëpia e të dyshuarit Halili, ku ishin gjetur dy armë, një pushkë gjuetie me leje të skaduar dhe një pistoletë me gas. Pasi ishte intervistuar në lidhje me këto armë të konfiskuara, i dyshuari sipas raportimit, me urdhër të prokurorit Rasim Maloku ishte liruar në procedurë të rregullt.

Më vonë, në shtator, për armëmbajtje pa leje, ai ishte dënuar nga gjykata me 300 euro.

E mbetet të shihet nëse prokurori Maloku, do të jetë një nga hallkat që do të “reflektojë” edhe pas kërkesës së kryeministrit Kurti për dorëheqje zingjirore.

I pari i Qeverisë, më herët me një status, të tretin për të njëjtin rast, kërkoi dorëheqjen e personave që sipas tij treguan pëpërgjegjshmëri dhe me këtë lejuan të vijë deri tek tragjedia që ndodhi dje.

“Sot pasdite kam aprovuar kërkesat e Grupit Ndërministror kundër dhunës në familje, pas takimit të sotëm të tyre, për rastin e vrasjes së Hamide Magashit dhe foshnjës së saj të palindur. Në bazë të përgjegjësive që mbartin institucionet përkatëse, po bëhet: inspektimi i punës së zyrtarëve policor, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës; inspektimi i punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale; inspektimi i punës së zyrtarëve në repartin e gjinekologjisë në QKUK; ndarje urgjente e buxhetit për zbatim të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës; dhe, në rastet e caktimit të urdhrit mbrojtës të bëhet bastisje e shtëpisë së personit të dyshuar. I gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje”, shkroi kryeministri Kurti. /Lajmi.net/