Protestë kundër armëve kimike

Sot janë organizuar protesta kundër shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Kreu i PD’së, Lulzim Basha, akuzoi Qeverinë se po luan lojën e “strucit me shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë”.

Lajme

11/11/2013 15:14

Partia Demokratike sot ka thirrur një protestë për dy çështje. E para kishte të bënte me pretendimet për blerjen e votës në qytetin e Korçës, ndërsa çështja tjetër ishte shkatërrimi i armëve kimike të Sirisë që Qeveria Shqiptare ka pranuar të bëhet në Shqipëri.

Në këtë protestë morën pjesë personalitetet më eminente të kësaj partie, duke përfshirë ish-kreun e PD’së Sali Berisha, ish-Kryeparlamentaren Jozefina Topalli, si dhe kreun aktual të PD’së, Lulzim Bashën.

Për ngjarjen e shitjes së votës në qytetin e Korçës për 20 mijë lekë, Lulzim Basha ka thënë se e ardhmja e Shqipërisë është në rrezik.

“Zgjedhje të blera nga mafia politike dhe ekonomike në vend. Ja pra pse ky është momenti i një alarmi të madh për një rrezik shumë të madh që kërcënon demokracinë shqiptare”.

“Ne, opozita, jemi në këmbë dhe të vendosur si asnjëherë tjetër për t’i dalë përballë siç po i dalim dhe si po i themi këtij rreziku vdekjeprurës të shitblerjes kriminale të votës”.

“Çështja e zgjedhjeve të lira është para së gjithash çështje e popullit të lirë dhe sovran, çështje e mijëra e mijëra shqiptarëve që me mendje e zemër janë bashkë me ne”.

Ndërkaq, për shkatërrimin e armëve kimike, Basha tha se Qeveria po bën “lojën e strucit me shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë”.

“Kjo Qeveri nuk ndjen asnjë lloj detyrim të japë llogari edhe për shkatërrimin e armëve nga Siria. Bëjnë lojën e strucit me shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë”.

“Ky kryeministër po shkon shumë larg me zëvendësimin e sundimit të ligjit me sundimin e Ramës. ‘Ne pushtetin, ju 20 mijë lekëshin’ – ky është slogani i tyre”, tha Lulzim Basha.

Në qytetin e Elbasanit, të rinjtë dolën në protestë kundër shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë.

Ata u bënë thirrje të rinjve që t’i bashkohen nismës: “Për një Shqipëri të pastër dhe pa mbetje kimike”.

Protesta me moton “Poshtë armëve kimike” u zhvendos nga bulevardi “Aqif Pasha”, përpara Bashkisë dhe prefekturës. Elbasani njëherësh është qyteti më i ndotur në Republikën e Shqipërisë.

Protestës të organizuar nga të rinjtë, që kishte për qëllim ndërgjegjësimin qytetar por dhe atë qeveritar për vendimin për të lejuar që shkatërrimi i armëve kimike të Sirisë të bëhet në Shqipëri, iu bashkuan edhe shumë qytetarë të tjerë të Elbasanit.