PZAP hedh poshtë dy ankesa të Vetëvendosjes

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka hedhur poshtë dy ankesa të Vetëvendosjes, të cilat ishin bërë rreth spotit të kryeministrit Hashim Thaçi dhe vendosjes së posterëve të PDK-së tek Mensa e studentëve.

Lajme

14/05/2014 18:28

Zyrtarë të PZAP thonë se këto ankesa janë hedhur poshtë pasi nuk është e specifikuar koha dhe mënyra se si të veprohet kur subjektet bëjnë fushatë para shpalljes zyrtare të fushatës.

Mul Desku, kryeshef ekzekutiv i sekretariatit të PZAP, tha për KosovaPress se ata deri me tani kanë pasur dy ankesa nga Vetëvendosje, që kanë pasur të bëjnë me spotin e kryeministrit dhe posterët e PDK-së, të vendosur tek Mensa e studentëve.

“Paneli ka marrë vendim për t’i hedhur poshtë, për arsye se nuk është i paraparë dënimi apo sanksionimi i subjekteve politike që zhvillojnë fushatë, do të thotë nuk është e specifikuar mënyra, koha e kësaj periudhe kohore kur bëjnë fushatë subjektet politike”.

Sipas tij, kjo është arsyeja që janë hedhur poshtë dy ankesat e Vetëvendosjes.

“Nuk kemi të drejtë të japim koment për këtë, sepse paneli po të kishte bazë për këtë do të vendoste, pasi janë gjyqtarë me karrierë dhe do t’i identifikonin dhe do t’i konsideronin dhe konstatonin se janë shkelje, por jashtë asaj që shkruan në ligj nuk mund të merren veprime”, theksoi Desku për KP.