Rama kërkon të ndihmohet Thaçi për ta fituar Nobelin
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po kërkon mbështetje për Kryeministrin Hashim Thaçi që ta fitojë Çmimin Nobel, për të cilin është nominuar bashkë me Dacic dhe Ashton. Thotë se Thaçi tregoi largpamësi të guximshme në dobi të interesit kombëtar.

Lajme
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar t’i jepet mbështetje Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për ta fituar Çmimin Nobel për Paqe.
Për këtë, ai ua ka nisur një letër drejtuesve të partive politike, në mënyrë që ato ta mbështesin kandidaturën e Kryeministrit të Kosovës.
Kryeministri Hashim Thaçi, së bashku me Baroneshën Catherine Ashton dhe Kryeministrin e Serbisë Ivica Dacic, janë kandidatë për Çmimin Nobel për Paqe, pasi ata, gjatë Dialogut në Bruksel, kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Pas nominimit që kjo treshe mori nga Kongresi Amerikan, edhe Grupi i Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian i ka dërguar Komitetit të Nobelit një nominim të tillë. Propozimi është bërë nga Grupi i Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve, i drejtuar nga Hannes Swoboda.
Kryeministri Edi Rama, në emër të Partisë Socialiste, ka ftuar partitë të kontribuojnë së bashku në mbështetje të kandidaturës për Çmimin Nobel të Kryeministrit Thaçi, që së bashku me kandidaturën e Përfaqësueses së Lartë të BE’së, Chathrine Ashton dhe atë të Kryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic, siç është shprehur ai, vlerësohen si protagonistët e një marrëveshje historike që çel rrugën e paqes mes dy shteteve të rajonit, duke i dhënë fund historisë së gjatë të konflikteve.
“Përgjatë një procesi sa të domosdoshëm për të ardhmen aq dhe të vështirë për të shkuarën Kryeministri i Kosovës tregoi largpamësi të guximshme dhe vendosmëri të madhe në dobi të interesit të lartë kombëtar por edhe në dobi të një bote më të mire”.
“Marrëveshja e arritur ndërmjet Kryeministrit të Kosovës dhe kryeministrit të Serbisë ishte siç e cilëson me të drejtë Baronesha Ashton ‘një hap më larg nga e kaluara dhe një hap më afër Europës’ për të dyja vendet. Prandaj për këtë kontribut kaq të rëndësishëm për krejt Europën Juglindore le të bashkojmë edhe ne zërin tonë me promovuesit e kësaj ideje”.
Rama propozon ngritjen e një grupi të përbashkët deputetësh që të hartojnë letrën e Kuvendit të Shqipërisë drejt Kryetarit të Komitetit të Çmimit Nobel.
“Ja pse ju propozoj ngritjen e një grupi të përbashkët deputetësh të të gjitha grupeve parlamentare për hartimin e letrës së Kuvendit të Shqipërisë drejtuar Kryetarit të Komitetit të Çmimit Nobel, Thorbjorn Jagland në mbështetje të kandidaturës së kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi si çmim Nobel për Paqen”.
“Gjithashtu le ti kërkojmë mbështetje grupeve respektive politike në Parlamentin Europian , në asambletë Parlamentare të Këshillit të Europës, OSBE e me radhë organizatat e tjera me të cilat partitë tona bashkëpunojnë për tu shprehur në favor të nismës që promovon si kandidatë për Nobelin për Paqen protagonistët e marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Edi Rama.