Rama: Shqiptarët nuk janë kriminelë lufte

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar krijimin e Gjykatës Speciale e cila do të gjykojë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ku thotë se ai nuk beson se luftërat tragjike në ish Jugosllavi duhet të përmbyllen duke i akuzuar shqiptarët për krime. 

Lajme

13/05/2014 14:39

\”Unë besoj se çdo krim lufte duhet të gjykohet dhe të dënohet, por nga ana tjetër do të ishte absolutisht negative për çdo standard të të drejtave të njeriut dhe të drejtës për liri dhe vetëvendosje të popujve, në qoftë se shkohet në atë drejtim duke i ndjekur shqiptarët, sikur të ishin kriminelë të luftës, kur ata ishin në mënyrë të qartë viktimat, dhe ata që rezistuan duke u përpjekur për të mbijetuar”, ka thënë Rama, në një intervistë për të përditshmen vjeneze “Standard”. 

I pyetur se a do të bashkëpunojë Shqipëria me këtë gjykatë, pasi raporti i Dick Martyt, e infiltron edhe atë, Rama tha se Tirana është e hapur për çdo hetim. 

Në të njëjtën kohë ai theksoi se Shqipëria është në mënyrë të vendosur kundër çdo spekulimi, sepse është e qartë se \”ka vend edhe për spekulime\”. 

Ndërsa i pyetur për vizitën e tij të planifikuar në Serbi, Rama tha se vizita është shtyrë dhe se nuk ka ende asnjë datë, por se ai është i bindur se kjo do të ndodhë në këtë vit.