Ramë Buja kërkon zgjidhje të shpejtë

Ministri Ramë Buja i ka thënë KD të UP’së se pret hapa të shpejtë në drejtim të zgjidhjes së të gjitha problemeve dhe shqetësimeve që janë shfaqur kohët e fundit në opinion dhe kërkon nga të gjithë akterët që të japin kontribut në përmirësimin e situatës

Lajme

29/01/2014 13:09

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja , ka kërkuar sot nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” hapa të shpejtë të zgjidhjes së problemeve në këtë institucion të arsimit të lartë.

Ministri Buja është takuar sot me këshillin Drejtues të UP’së për të diskutuar për gjendjen e krijuar dhe për mundësitë e tejkalimit të saj, ndërkohë që përshëndeti hapat që janë marrë nga Këshilli Drejtues dhe inkurajoi ata që të marrin hapa të tillë edhe në të ardhmen.

“Ministri Buja, gjatë këtij takimi, ka kërkuar nga Këshilli Drejtues që në një afat sa më të shkurtër të dalë me plan konkret për tejkalimin e gjendjes së krijuar në Universitetin e Prishtinës, gjithmonë duke u bazuar në kompetencat ligjore që ka Këshilli Drejtues”.

“Në takimin, është diskutuar edhe për ndryshimin e Statutit të Universitetit Publik “Hasan Prishtina”, kërkesë kjo e dalë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që është përkrahur edhe nga Këshilli Drejtues”.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë pret hapa të shpejtë në drejtim të zgjidhjes së të gjitha problemeve dhe shqetësimeve që janë shfaqur kohët e fundit në opinion dhe kërkon nga të gjithë akterët që të japin kontributin e tyre në drejtim të përmirësimit të situatës”, thuhet në komunikatën e MASHT.