Ramos: E patëm mundësinë ta fitonim titullin

Sergio Ramos ndihet i zhgënjyer pas humbjes së Real Madridit nga Celta Vigo. Mbrojtësi spanjoll thotë se Los Blancos e lëshuan një mundësi të artë për ta fituar titullin e kampionit në La Liga.

Sport

12/05/2014 11:23

Sergio Ramos e ka shprehur frustrimin për dështimin e Real Madridit që ta fitojë La Ligan, ndërsa ndien se ata e kishin një mundësi unike për t’u shpallur kampionë.

Los Blancos u mposhtën 2:0 nga Celta Vigo të dielën dhe shpresat e tyre për titull morën fund, ndërsa Atletico Madrid e Barcelona do ta vendosin në mes vete se kush do të jetë kampion i ri i Spanjës, pas përballjes në mes tyre në Camp Nou, fundjavën e ardhshme.

“Pas një sezoni të shkëlqyer në këtë kompeticion, ekipi nuk diti të reagojë në momentet e duhura dhe e lëshuam mundësinë nga duart që ta fitonim La Ligan, në një mënyrë mjaft të keqe”, deklaroi Ramos për uebfaqen zyrtare të klubit.

“Ju në këtë rast shkoni në shtëpi dhe ndiheni keq dhe të zhgënjyer, pasi e lëshuat një mundësi unike për ta fituar titullin. Ne dhamë gjithçka në fushë dhe u munduam të luanim sa më mirë që mundeshim”, vazhdoi ai.

Tash, Ramos thotë se është koha që Reali të mendojë për Ligën e Kampionëve dhe ta harrojë zhgënjimin në La Liga. Ekipi i Carlo Ancelotti do të luajë me Atletico Madridin në Lisbonë, më 24 maj.