Raporti i “Freedom House” i drejtë

Edhe Behxhet Shala, sikur “Freedom House”, thotë Kosova është vend pjesërisht i lirë. Fajtor, sipas tij, janë si vendorët ashtu edhe ndërkombëtarët. Nuk pret që ky raport të japë rezultate më të mira as në vitin e ardhshëm.

Lajme

26/01/2014 06:44

Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, ka thënë se mungesa e sundimit të ligjit, krimi i organizuar, korrupsioni dhe gjendja e rëndë ekonomiko-sociale janë faktorët kyç që bëjnë që Kosova të klasifikohet në mesin e vendeve “gjysmë të lira”.

Raporti vjetor i “Fredoom House” në të cilin Kosova është vlerësuar  me notën 5 në kategorinë e të drejtave politike dhe me notën 4 në atë të drejtave civile, sipas Shalës, vjen si rezultat i punës jo efikase si nga faktori ndërkombëtar ashtu edhe nga ai i brendshëm.

Në një bisedë për lajmi.net, Drejtuesi i KMDLNJ’së, thotë se vlerësimi vjetor i Freedom House ka qenë i njëjtë me atë të vitit të kaluar, pavarësisht disa ndryshimeve që kanë ndodhur.

“Kosova fatkeqësisht iu ka ofruar asaj notës më të keqe. Edhe në vitin e kaluar ka qenë i njëjti vlerësim për vendin sikurse në këtë vit. Ky raport i parasheh disa ndryshime që janë bërë, mirëpo në përgjithësi Kosova ka mbetur vend gjysmë i lirë”.

“Kosova pavarësisht që ka marrë pavarësinë dhe është një shtet që është pranuar nga një numër i madh i vendeve të botës megjithatë, nuk e ka pavarësinë e plotë, nuk e ushtron sovranitetin në tërë territorin e saj, nuk mund ta zbatojë ligjin njëjtë, sikur në qendër, sikur në Veri”.

Në raportin vjetor të “Fredoom House” për liritë në botë për vitin 2013, Kosova është radhitur në mesin e vendeve që janë pjesërisht të lira. Në krahasim me raportin e vitit të kaluar, vendi nuk ka ndryshuar pozicion.

“Kosova ka një ambient ekonomiko-social shumë të rëndë me 50% të papunë, 65% prej tyre janë të varfër që mezi jetojnë me më pak se 1 euro në ditë dhe nuk mund të plasohet më mirë”.

“Ndërkombëtarët që i mbikëqyrin disa procese nuk e kanë kryer misionin për çka kanë ardhur. Ata në njëfarë mënyrë i kanë përkrahur vendorët  të cilët e kanë lejuar edhe korrupsionin, e kanë lejuar krimin e organizuar, nepotizmin, trafikimin vetëm për ta arritur një projekt të tillë që janë duke e zbatuar tash pra përgjegjësia nuk është vetëm e Kosovës”.

“Përgjegjësia në radhë të parë u shkon ndërkombëtarëve, të cilët jo vetëm që janë si këshilltarë por janë edhe vendimmarrës në shumë sfera. Ju e dini mirë që veriu është jashtë kontrollit, zgjedhjet në veri i ka organizuar Serbia. Këta faktorë kanë ndikuar, që Kosova është ranguar kaq poshtë”.

Shpresat për një përmirësim të rezultateve në raportin e “Fredoom House” për vitin e ardhshëm sipas Shalës, janë të vogla.

“Rrjedhimisht mund të ndodh që edhe në vitin e ardhshëm të mos ketë ndonjë përmirësim, sepse të gjithë treguesit edhe ekonomikë edhe të sigurisë nuk janë të favorshëm për të krijuar parakushte që Kosova të rangohet më mirë”.

Në raportin vjetor të “Fredoom House” për liritë në botë për vitin 2013, Kosova është radhitur në mesin e vendeve që janë pjesërisht të lira. Në krahasim me raportin e vitit të kaluar, vendi nuk ka ndryshuar pozicion.

Sa i përket vendeve të rajonit “Fredoom House, Sllovenia, Koracia, Serbia dhe Mali i Zi janë radhitur në mesin e vendeve të lira.

Shala këtë klasifikim e quan të drejtë pasi, sipas tij, këto vende kanë institucione të qëndrueshme dhe ekonomi të fuqishme.

“Kjo është normale. Sllovenia ka qenë shumë larg nesh. Pastaj Kroacia është një shtet shumë i fuqishëm ekonomikisht. Sllovenia dhe Kroacia janë çliruar vet, ata nuk e kanë lejuar ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar”.

“Serbinë e ka ledhatuar BE`ja duke i bërë lëshime të mëdha . Është e paimagjinueshme që një shtet, i cili është përgjegjës për katër luftërat në hapësirat e ish-Jugosllavisë ku ka pasur me miliona të zhvendosur dhe qindra mijëra të vrarë të trajtohet mirë”.

“Fundi i fundit Serbia ka institucione më të qëndrueshme, ka resurse ekonomike shumë më të mëdha se sa që kemi ne, është krejtësisht normale”, tha Behxhet Shala për lajmi.net.