Reagon AGK: Emërimi i mbështetësit të VV-së si drejtor në RTK përbën konflikt interesi
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se ka ndjekur me vëmendje të shtuar zhvillimet e fundit rreth transmetuesit publik në vend, RTK. AGK-ja ka konsideruar se emërimi i Rilind Gërvallës – mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje për drejtor të kanaleve shqip në Radio Televizionin e Kosovës, përbën konflikt interesi dhe cenon rëndë pavarësinë…

Lajme
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se ka ndjekur me vëmendje të shtuar zhvillimet e fundit rreth transmetuesit publik në vend, RTK.
AGK-ja ka konsideruar se emërimi i Rilind Gërvallës – mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje për drejtor të kanaleve shqip në Radio Televizionin e Kosovës, përbën konflikt interesi dhe cenon rëndë pavarësinë e transmetuesit publik.
“Gërvalla ka demonstruar publikisht mbështetjen për partinë në pushtet dhe e ka promovuar atë aktivisht”, thuhet në njoftimin e AGK-së.
Sipas tyre, rekomandimi dhe emërimi i Gërvallës në pozitën e drejtorit është në kundërshtim me praktikën e mirë që është krijuar gjatë përzgjedhjes së bordit të RTK-së, proces ky që ishte lavdëruar ndërkombëtarisht si transparent dhe profesional.
“Ne besojmë që një proces i ri rekrutimi, në baza të meritokracisë dhe pa ndërhyje politike është i nevojshëm dhe do të lejonte vazhdimin e depolitizimit të transmetuesit publik, dhe do të krijonte atmosferë ku gazetarët mund të veprojnë të lirë pa presion politik. Ky zhvillim do të ndikojë negativisht në renditjen e Kosovës sa i përket lirisë së medies”, thuhet në komunikatën e AGK.