Reforma zgjedhore kthehet në Kuvend

Deputeti Haki Demolli thotë për lajmi.net se kompetencat e Komisionit ad-hoc për Reformën Zgjedhore duhet t’i barten Komisionit për Legjislacion. Sipas tij, kjo gjë bëhet sepse Komisioni ad-hoc është i kufizuar nga afatet kohore.

Lajme

31/01/2014 06:41

Kryetari i Komisionit ad-hoc Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Haki Demolli, ka thënë se Kuvendi duhet të marrë vendim që kompetencat e këtij komisioni të i kalojnë Komisionit për Legjislacion.

Në një prononcim për lajmi.net, Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK, Haki Demolli, ka thënë se bartja e këtyre kompetencave bëhet se Komisioni ad-hoc ka një afat kohor të përcaktuar, andaj punën e lënë përgjysmë mund ta vazhdojë Komisioni për Legjislacion.

“Ne si Komision do t’i propozojmë Kuvendit për shkak se ne kemi qenë të lidhur me një mandat të caktuar kohor dhe faktikisht në mandatin që kemi pasur për shkaqe objektive nuk kemi ja kemi dal që të përfundojmë draft ligjin”.

“Duke pasur parasysh se është riaktualizuar iniciativa për pajtimin e legjislacionit për zgjedhjet në Kosovë, ne si Komision kemi vlerësuar se materialet e punës të cilët i kemi përgatitur gjatë kohës sa ne kemi pasur mandat, të ja përcjellim Kuvendit, në mënyrë që Kuvendi të vendos, për të ja përcjell këtë material Komisionit për Legjislacion”.

“Dy janë arsyet kryesore”.

“E para është se një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të Komisionit ad-hoc, në të njëjtën kohë është anëtar i Komisionit për Legjislacion, që do të thotë se ata janë garantues që ne do të vazhdojmë punën tonë. Komisioni për Legjislacion nuk është i kufizuar në aspektin kohor, pra ka mandat të pakufizuar kohor”.

“Kurse ne si Komision ad-hoc mund të kufizohemi me një afat të caktuar kohor i cili do të ishte një lloj presioni në punën tonë” ka thënë Haki Demolli për lajmi.net.