Rugova: Kosova nuk duhet të udhëhiqet nga koalicioni LDK-PDK

Zërat se PDK dhe LDK mund të bëjnë koalicion pas zgjedhjeve të 8 qershorit, për nënkryetarin e LDK-së, Haki Rugova po dalin nga PDK-ja, duke dashur kështu që të dëmtojnë LDK-në. Ai ka thënë se preferon që LDK të bëjë koalicion me parti më të vogla.

Lajme

12/05/2014 23:37

Kryetari i Komunës së Istogut dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova ka përsëritur edhe njëherë se partia e tij  nuk do të hyjë në koalicion me PDK-në e Hashim Thaçit.

Gjatë një interviste për TV Dukagjini, Rugova ka hedhur poshtë zërat se partia e tij pas zgjedhjeve të 8 qershorit do të bëjë koalicion me PDK, duke thënë se preferon që LDK duhet të bëjë koalicion me parti më të vogla.

“Ky është një lansim që po bëhet nga vet PDK-ja, në mënyrë që t\’i bëjë dëm LDK-së këtu. Dihet fare mirë që ne nuk do bëjmë koalicion me PDK-në në asnjë mënyrë, jo pse jemi të armiqësuar deri në atë shkallë, por sepse e kemi konkurrent të parë dhe sepse jam i bindur që Kosova nuk mund të qeveriset me një koalicion të tillë. LDK gjithnjë do të qeverisë me parti më të vogla dhe që kanë program të përafërt me LDK-në”.

Mosbashkëpunimin me PDK-në Rugova e ka arsyetuar me, siç thotë ai, dështimin e qeverisjes së fundit të udhëhequr nga PDK-ja.

Rugova në këtë emision ka ngritur faktin, siç ka thënë, edhe të dëmtimit që LDK shumë herë ia ka bërë vetes si parti, duke mbështetur procese të rëndësishme për të mirë të vendit, e që pastaj janë interpretuar nga konkurrentët politikë në disfavor të LDK-së.