Serbia lëshon mbledhjen rajonale të NATO-s, shkak Kosova

19:24 | 11 Korrik 2019

Delegacioni i Serbisë e ka lëshuar mbledhjen në momentin që kanë filluar diskutimet e delegacionit të Kosovës.

Sot në Bruksel, në selinë qendrore të NATO-s është zhvilluar takimi i Normalizimit të Aviacionit në Ballkan, ku edhe Kosova mori pjesë.

Në këtë takim, Kosova ishte e përfaqësuar nga zëvendësministri i Mbrojtjes së Kosovës, Burim Ramadani dhe drejtori i Autoritetit Civil të Aviacionit, Eset Berisha.

Mirëpo, shefi i delegacionit të Serbisë, gjenerali Pedrag Bandiq, e ka lëshuar mbledhjen rajonale të NATO-s, pasi që kanë përfunduar fjalimin përfaqësuesit e Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, zëvendësministri Ramadani, i cili ka shprehur keqardhje për atë që ka bërë Serbia në këtë takim.

“Shpreh keqardhjen time dhe të delegacionit të Kosovës për largimin nga salla e takimit të përfaqësuesit të Serbisë”, u shpreh Ramadani.

Ai ka thënë se Kosova është e vendosur për bashkëpunim rajonal, bashkëpunim me NATO-n.

“Jam i sigurt që Kosova ka përfaqësuar veten në formë konstruktive. Pra, ne jemi konstruktiv dhe të vendosur për bashkëpunim rajonal, bashkëpunim me NATO-n”, ka deklaruar Ramadani për lajmi.net.

Ramadani po ashtu ka bërë të ditur se delegacioni i Kosovës me zyrtarët e NATO-s, sot ka diskutuar edhe për rrugën përpara në hapjen e hapësirës së ulët ajrore të Kosovës.

Sipas tij, në këtë takim është qartësuar edhe pozicioni i Kosovës për hapjen e hapësirës së ulët ajrore, duke funksionalizuar kështu zgjidhje përuljen e kostos së çmimeve të biletave të fluturimit për qytetarët.

Duhet theksuar se takimi në NATO ka qenë takim rajonal dhe ndër të tjera është mbajtur edhe me qëllim të gjetjes së zgjidhjes teknike për hapësirën e ulët ajrore të Kosovës. /Lajmi.net/