Serbia nuk do t’i organizojë zgjedhjet në Kosovë
ZëvendësKryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë për lajmi.net se Serbia nuk do të lejohet t’i organizojë zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Sipas tij, do të gjenden forma që u mundësojnë serbëve të Kosovës të votojnë, duke mbrojtur sovranitetin e Kosovës.

Lajme
Më 16 mars, Serbia do t’i mbajë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe, në bazë të parimit të dyshtetësisë, të drejtë të pjesëmarrjes në to kanë edhe serbët e Kosovës.
Modalitetet e votimit të serbëve të Kosovës nuk janë vendosur ende, por ZëvendësKryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, në një intervistë për lajmi.net, thotë se Serbia nuk do të lejojë të organizojë zgjedhje brenda Kosovës.
Ai, madje, pohon se kjo çështje nuk do të diskutohet Bruksel, sepse për të duhet të vendoset në Prishtinë dhe akund tjetër.
Por, sipas tij, qytetarëve serbë të Kosovës, të cilët kanë edhe shtetësinë e Serbisë, do t’u bëhet e mundur që ta ushtrojnë të drejtën dhe vullnetin e tyre për të votuar.
Në vitin 2012, votimet e serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të Serbisë i kishte lehtësuar Misioni i OSBE’së në Kosovë. Përderisa një mundësi e tillë mbetet e hapur edhe për zgjedhjet e ardhshme, sipas Kuçit, ato do të jenë më të avancuara në kuptimin e sovranitetit të Kosovës.
Lajmi.net: Është raportuar se Qeveria e Kosovës pritet të dalë së shpejti me një qëndrim se si do të trajtohen zgjedhjet parlamentare të Serbisë në Kosovë, si do të menaxhohet e drejta e votimit të serbëve të Kosovës. Paraprakisht, a mund të na jepni një skenar të mundshëm se si do të shkojë ky proces?
Hajredin Kuçi: Janë dy parime që duhet të respektohen. Parimi i parë që Serbia nuk do të lejohet që të organizojë zgjedhje nacionale në Kosovë. Dhe, parimi i dytë është që të respektohet e drejta e qytetarëve që janë në Kosovë, që e kanë shtetësinë e Serbisë që të votojnë, sikurse që votojnë për vendet e tjera, e kjo nënkupton qoftë përmes Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë, ose edhe përmes Misionit të OSBE’së.
Ende nuk është vendosur për këtë, por organizim të zgjedhjeve nacionale të Serbisë nuk do të ketë në Kosovë. Mirëpo, do të mundësohet, për aq sa është e mundur, qoftë përmes postës apo formave të tjera, që qytetarët serbë, ata që e kanë shtetësinë, që kanë vullnet të votojnë, ta bëjnë këtë.
Por, kjo do të jetë një formë më e avancuar se në vitin 2012.
Lajmi.net: Pra, nuk do të hapen vendvotime brenda Kosovës për zgjedhjet parlamentare të Serbisë?
Hajredin Kuçi: Jemi duke e menduar për modalitetet, por nuk do t’i hapë Serbia vendvotimet. Po ashtu, do t’u japim mundësi që të bëjmë një zgjidhje, po e them prapë, për qytetarët serbë, qoftë përmes postës apo Zyrës Ndërlidhëse, pasi që tanimë Serbia e ka Zyrën Ndërlidhëse këtu, apo ndonjë formë tjetër të mekanizmave ndërkombëtarë, por jo të institucioneve të Serbisë që t’i bëjnë zgjedhjet në Kosovë.
Lajmi.net: Nëse OSBE’ja e merr rolin e organizatorit apo të lehtësuesit të këtyre zgjedhjeve dhe nëse propozon që të hapen vendvotime brenda Kosovës, a do të jetë kjo e pranueshme?
Hajredin Kuçi: Nuk do të ketë organizim të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, por do të ketë mundësim të qytetarëve që të votojnë.
Lajmi.net: Por, një mundësi është edhe hapja e vendvotimeve…
Hajredin Kuçi: Do të jenë të përafërta sikurse e kanë qytetarët tanë jashtë vendit, apo të cilido qytetar të një shteti sovran që e ka shtetësinë e një shteti tjetër apo që gjendet jashtë vendit, qoftë përkohësisht apo në mënyrë permanente.
Lajmi.net: Do të thotë skenari i 2012 nuk do të përsëritet?
Hajredin Kuçi: Do të jetë një skenar shumë më i avancuar në kuptimin e sovranitetit të Kosovës.
Lajmi.net: A është diskutuar konkretisht për çështjen e votimit të serbëve të Kosovës për zgjedhjet e Serbisë, në takimin e fundit që u mbajt në Bruksel?
Hajredin Kuçi: Jo, por si temë Kryeministri ka theksuar që në fillim edhe me (Catherine) Ashton, por dhe me të tjerët, se për këtë merret vendim në Prishtinë dhe jo në Bruksel apo diku tjetër.
Lajmi.net: Pra, nuk është çështje për të cilën do të vendoset në Bruksel, po e zëmë as më 12 shkurt, në raundin e radhës të dialogut?
Hajderin Kuçi: As që është diskutuar dhe është një pajtueshmëri që të vendosin organet e Prishtinës.
Lajmi.net: Pajtueshmëri në mes kujt, z. Kuçi?
Hajredin Kuçi: Me Ashton’in. Kemi biseduar dhe me të tjerët, dhe kemi kërkuar që kjo temë të mos jetë në tavolinë.