Serbia nuk largohet nga Kosova

Aleksandar Vulin thotë se shteti serb do të vazhdojë të funksionojë në Kosovë. Vlerësoi se personat që organizojnë incidente në Veri, nuk janë banorë të atij rajoni.

Lajme

08/11/2013 14:36

Ministri pa Portofol i Serbisë i ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin, ka thënë se askush nuk mund ta largojë shtetin serb nga këto territore.

Në një tubim fetar të mbajtur në sheshin kryesor të Veriut të Mitrovicës, Vulin vlerësoi se të gjitha incidentet në veri janë organizuar “nga njerëz të huaj dhe jo vendasit”.

“Në rrugët e këtij qyteti ka pasur shumë padrejtësi dhe dhunë, dhe nuk ka asnjë shtëpi e cila të paktën një herë nuk ka qenë pjesë e këtyre veprimeve. Mitrovica do të festojë edhe vitin e ardhshëm festën e Mitrovdan’it, por pa prezencën e atyre që nuk e dinë se çfarë është festa”.

“Secili ka të drejtë të shprehë mendimin e vet, por askush nuk ka të drejtë që në Mitrovicë të prekë dhe të pështyjë në serbët”.

“Unë jam në dijeni për dashurinë tuaj ndaj kishës, për trimërinë që e keni dhe kërkoj nga ju që këtë trimëri, të cilën e keni shprehur përmes barrikadave, ta shfrytëzoni në një mënyrë tjetër”, ka thënë Vulin.