Shamia s’është temë komunale

Kandidati i PDK'së për Ferizaj, Agim Aliu, thotë se nuk ka bërë marrëveshje me Partinë e Drejtësisë për koalicion, por vetëm ka marrë mbështetjen e tyre. Pohon se nuk ka dhënë premtime për shaminë në shkolla, pasi që kjo çështje nuk i takon nivelit komunal.

Lajme

11/11/2013 16:47

Agim Aliu i Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj thotë se ka marrë pa asnjë kushtëzim mbështetjen e Partisë së Drejtësisë për kandidaturën e tij për Kryetar të këtij qyteti.

Aliu nuk ka firmosur marrëveshje koaliconi me Partinë e Drejtësisë, por thotë se ajo i ka premtuar përkrahje për raundin e dytë të balotazhit, në të cilin ai do të vazhdojë garën për Kryetar të Ferizajit me Kandidatin e LDK’së, Muharrem Sfarqa.

Një ditë më herët, u raportua se PD do ta përkrahë Kandidatin e PDK’së, Agim Aliu për Kryetar, pasi që ai ka premtuar se nuk do të ketë largim nga shkolla të nxënëseve që bartin shami.

Por, këtë e mohon Agim Aliu në një intervistë për lajmi.net, ku ai thotë se PD nuk i ka vënë atij asnjë kusht për çështjen e shamisë.

“PD nuk ka vënë asnjë kusht, sepse ne nuk kemi bërë marrëveshje për koalicion. Puna e shamisë nuk është kompetencë e qeverisjes lokale, por është kompetencë e institucioneve qendrore”.

“Ju e dini që kjo çështje ka shkuar deri tek Presidentja. Kjo është çështje e ligjit, është çështje e Presidencës dhe instutcioneve qendrore. Pra, nuk është kompetencë lokale”.

“Kjo çështje është jashtë kompetencave lokale. Ata vetëm e kanë dhënë një mbështetje për kandidaturën time dhe këtë gjë e kanë thënë ata vetë”.

Kryetari aktual i Ferizajit thotë se çështjen e shamisë e ka diskutuar edhe më herët me Partinë e Drejtësisë, pa pasur fare fushatë zgjedhore. Edhe atëherë ai thotë se u ka thënë zyrtarëve të kësaj partie se që kjo çështje i takon ligjit dhe duhet rregulluar në nivel qendror.

“Ne mundem të themi se do të bisedojmë me Qeverinë Qendrore për t’u rregulluar kjo çështje. Por, kjo çështje nuk rregullohet as në Ferizaj, as në Prishtinë, as në Mitrovicë, as në Gjilan. Kjo çështje rregullohet në nivel të përgjithshëm. Ky është problemi”.

“Ne do të veprojmë sipas asaj që e parasheh Kushtetuta. Nuk është kompetencë e Komunës çështja e shamisë, nuk rregullohet çështja e shamisë nëpër komuna. Kjo është çështje e Republikës së Kosovës dhe më lart”, thotë Agim Aliu për lajmi.net.