Shpend Ahmeti kërkon bashkëpunim me Prokurorinë për aktakuzat

Shpend Ahmeti sot është takuar me Kryeprokurorin Ismet Kabashi për të diskutuar për mënyrën e bashkëpunimit mes Komunës dhe Prokurorisë në të ardhmen. Ai kërkoi nga Kabashi informim mbi aktakuzat e konfirmuara që i rëndojnë zyrtarët komunalë.

Lajme

06/02/2014 15:21

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka kërkuar sot nga Kryeprokurori i Shtetit, Ismet kabashi që ta informojë për aktakuzat që rëndojnë mbi zyrtarët komunalë në mënyrë që ai të vendosë për të ardhmen e tyre nëpër pozita publike.

Ahmeti sot është takuar me Kryeprokurorin Kabashi për të diskutuar për mënyrën e bashkëpunimit mes Komunës dhe Prokurorisë në të ardhmen.

“Në këtë takim u ngritën dy çështje me interes për Komunën e Prishtinës. E para, kishte të bënte me bashkëpunimin konkret në mes të Komunës dhe Prokurorisë, lidhur me informimin mbi aktakuzat e konfirmuara që i rëndojnë zyrtarët komunalë. Kësisoj, Komunës i hapet mundësia të marrë vendime sipas ligjit, për secilin rast”.

“Çështja e dytë e diskutimit saktësoi procedurat e bashkëpunimit mes zyrtarëve të Komunës së Prishtinës me Prokurorinë, për rastet kur zyrtari në fjalë dyshon apo është dëshmitar i një veprimtarie të paligjshme e me pasoja penale”.

“Komuna e Prishtinës është e angazhuar plotësisht që të ketë bashkëpunim të afërt me Prokurorinë e shtetit, në mënyrë që ta çrrënjosim njëherë e mirë krimin, korrupsionin, keqpërdorimin e detyrës zyrtare, e të ngjashme, nga institucionet publike”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Komuna e Prishtinës.