Shpend Ahmeti me strategji për bujqësi
Kandidati i Vetëvendosje’s për Prishtinën tha se prioritet primar e ka bujqësinë. Ai kritikoi qeverisjen aktuale komunale dhe shpalosi strategjinë për tejkalimin e këtij problemi.

Lajme
Promovimi i prodhimeve vendore është njëri nga prioritetet kryesore për Lëvizjen Vetëvendosje në Prishtinën e pas zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Kandidati i këtij subjekti politik për Kryetar të Komunë së Prishtinës, Shpend Ahmeti shprehu shqetësimin se bujqit e Prishtinës po përballen me një situatë të vështirë. Ai prezantoi strategjinë pesë pikëshe për tejkalimin e kësaj situate.
Për gjendjen e krijuar tha se përgjegjësia bie mbi pushtetin lokal aktual.
“Përgjegjësia më e madhe megjithatë qëndron tek pushteti. Në këtë rast komuna e Prishtinës ka përgjegjësi edhe më të madhe për të promovuar prodhimin vendor dhe zhvillimin e komunës”.
“Bisedat me bujqit në komunën e Prishtinës dëshmojnë për një situatë të pa përballueshme ekonomike në fshatra. Kjo nuk vjen si pasojë e mos punës së bujqve por vjen nga mos interesimi i pushtetit që të merren me hallet e tyre tash e sa vite”.
“Vitin e kaluar Kosova ka importuar prodhime si qepë e hudhra edhe nga Egjipti edhe nga Kina, përderisa bujqit e Barilevës këto prodhime do t`i gjuajnë”.
“Promovimi i importeve vetëm i vendos paratë nga Kosova në një shtet tjetër dhe i ndihmon investimet në ato shtete më shume sesa në shtetin tonë”.
Ahmeti e sheh zgjidhjen e këtij problemi përmes krijimit të tregut të veçantë për prodhimet vendore.
Ai premtoi se komuna nën drejtimin e tij do të ndihmojë në organizimin e prodhuesve vendorë të bujqësisë dhe sektorëve tjerë me qëllim mbrojtjen e interesave të tyre.