Shqipëria dhe Kosova po krijojnë oligarkë

Nga monopolet e krijuara politike dhe ekonomike shumë shpejt do të kemi një sistem oligarkik në Kosovë dhe në Shqipëri dhe shanset për të pasur një sistem demokratik janë shumë larg.

Lajme

12/05/2014 09:16

Shqiptarët nuk janë të varfër, ata kanë qeverisje të keqe e cila po krijon një shoqëri shumë të polarizuar dhe të paarsimuar që nuk zbaton ligjin, duke krijuar monopolet politike dhe pastaj edhe ato ekonomike, kështu që në një të ardhme të afërt këto të dyja do të bashkohen për të krijuar një sistem oligarkik dhe shanset për të pasur një sistem demokratik janë shumë larg.

Ky është shqetësimi që shpreh në detaje shkrimtari dhe politikani, Ben Blushi, në një intervistë për gazetën “Zëri”.

Ai është i bindur se me këtë mentalitet qeverisës që kanë të dy shtetet shqiptare që reflektojnë model të ngjashëm të keqqeverisjes, duke ia servuar përditë e më tepër terrenin partive me karakter fetar. Sipas tij, do të jetë pothuajse e pamundur nëse një pjesë e madhe e popullsisë do të fillojë të bindet se bindjet fetare janë një shpëtim, për shkak se fetë kanë akoma magjepsjen për t’u folur njerëzve në emër të shpresës, në emër të barazisë, të moralshmes, terren të cilin partitë politike janë duke e humbur përditë.

“Shtuar kësaj edhe sponzorizimet e caktuara që vijnë kryesisht nga Arabia, i bëjnë organizimet fetare shumë të forta, të cilat krijojnë struktura të qëndrueshme çdo ditë, duke u kapilarizuar nëpër fshatra dhe provinca, aty ku ka më shumë papunësi, më shumë polarizim ku ka më pak shpresë për jetë më të mirë”, ka thënë gjatë intervistës për “Zërin”, Blushi.