Sot s’ka nevojë për debat në Kuvend

Në Kuvendin e Kosovës sot do të prezantohet raporti i punës i ish-Komisionit për Ndryshimin e Ligjit Zgjedhor për procesin e reformës zgjedhore. Ish-kryetari i këtij komisioni, Haki Demolli, thotë se nuk ka arsye të debatohet për këtë çështje.

Lajme

30/01/2014 08:04

Ish-kryetari i Komisionit për Ndryshimin e Ligjit Zgjedhor, Haki Demolli ka thënë se nuk e sheh të arsyeshme që sot (e enjte) në Kuvendin e Kosovës të debatohet për punën që ka bërë ky komision në kuadër të reformës zgjedhore.

Ai konsideron se nëse materiali i reformës procedohet në këtë komision, ky proces mund të përfundojë në muajin shkurt.

Në një intervistë për “Epoka e re”, Demolli ka kërkuar nga deputetët të marrin vendim që materiali i reformës zgjedhore t’i procedohet Komisionit për Legjislacion.

“Mendoj se për këtë çështje duhet të debatojmë kur ta kemi të përgatitur draftligjin për zgjedhje. Pra, atëherë Kuvendi mund të debatojë për çdo nen, dispozitë dhe për çdo ndryshim dhe plotësim të draftligjit për zgjedhjet”.

Ai ka vlerësuar se reforma mund të përfundojë shumë shpejt në rast se materiali i saj procedohet në Komisionin për Legjislacion.

“Nëse Kuvendi vendos që materiali i saj të procedohet në Komisionin për Legjislacion, atëherë në muajin shkurt mund të dilet para Kuvendit të Kosovës me draftligjin për zgjedhjet”.

Demolli ka thënë se Ligji aktual Zgjedhor nuk mund të ndryshohet shumë, por, sipas tij, do të bëhen disa ndryshime për të cilat tashmë janë pajtuar.

“Në esencë ligji aktual nuk mund të ndryshohet shumë, por do të bëhen disa ndryshime për të cilat jemi pajtuar si Komision për Ndryshimin e Ligjit Zgjedhor”.

Sipas Demollit, janë subjektet politike ato që vendosin për reformën zgjedhore të suksesshme.

“Kurdo që subjektet politike janë të gatshme, kjo çështje mund të procedohet dhe të përfundojë shumë shpejt. Ndërkaq, nëse ato nuk tregojnë ndonjë gatishmëri, ky proces mund të prolongohet”, ka thënë ai për “Epoka e re”.