Spanjollët: Poshtë Eurovizioni, poshtë Bashkimi Europian, rroftë Shqipëria!

Festivali europian i këngës, Eurovizion, ka zhgënjyer shumë vende. Spanja duket të jetë prekur më së shumti. Mediat e këtij vendi, kanë mallkuar festivalin dhe Bashkimin Europian, ndërsa kanë uruar dhe falënderuar Shqipërinë, e cila i dha pikët maksimale këngëtares Ruth Lorenzo, përfaqësuese e Spanjës në këtë festival. 

Bota

11/05/2014 18:30

“Në djall Eurovizion dhe në djall Bashkimi Europian, rroftë Shqipëria”- shkruan Destrelladigital. 

“Në djall dhe ata që votojnë për zgjedhjet e ardhshme evropiane dhe të gjitha zonjat austriake me mjekër”, vazhdon shkrimi, ndërsa kujtojnë se Portugalia fqinje dhe pse mori 12 pikë nga Spanja nuk ua ktheu nderin fqinjëve të tyre.

Vetë këngëtarja spanjolle Ruth Lorenzo shprehet se vetëm “në qoftë se ke mustaqet më të famshme duhet të fitosh”, duke folur me ironi për fituesin e Eurovizion 2014. As këtë vit nuk kishte drejtësi në ndarjen e çmimeve, thonë mediat referuar dhe faktit se prezantuesja kishte thënë se ky duhet të jetë viti i Spanjës, pasi është përfaqësuar denjësisht por duhet pritur nëse do të bëhet drejtësi.

Më tej shkrimi ndalon te 12 pikëshi i Shqipërisë. Duke mallkuar dhe një herë Europën, Eurosongun, ziliqarët dhe politikën, aty thuhet, “Po, vetëm Shqipëria e njeh muzikën, 12 pikë për Spanjën” dhe na e kthen menjëherë borxhin: Që tani, nëse dikush dëshiron të kalojë verën jashtë kufijve spanjollë, duhet të shkoni vetëm në Shqipëri”.

Madje tregohen më zemërgjërë se kaq, përmes një premtimi që nuk mund të bëhet realitet: “Nëse shqiptarët bëhen fqinjët tanë, dhe jo francezët dhe portugezët, ne do t’ju paguajmë borxhet bankare”

“Eurovizioni është një humbje kohe, në këtë mënyrë siç është konceptuar jo vetëm që nuk fitojmë’ por mund dhe të na fishkëllejnë si në rastin e Rusisë, apo më keq”, përfundon artikulli.