SPECIALE/ Kosova feston Ditën e Çlirimit

10:56 | 12 Qershor 2019

Në Prishtinë u festua 20 vjetori i çlirimit të Kosovës.

(I plotësuar – 13:07) – Haradinaj në 20-vjetorin e çlirimit i bën thirrje Serbisë që ta njohë Kosovën

Kryeministri Ramush Haradinaj, në 20-vjetorin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, i ka bërë thirrje Serbisë për pajtim dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Në fjalën e tij para të pranishmëve me rastin e ceremonisë të 20-vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kosova është e gatshme që të pajtohet me shtetin Serb, shtet ky i cili para dy dekadave kreu gjenocid në Kosovë.

Haradinaj u shpreh se paqen e bëjnë të guximshmit, andaj Kosova sipas tij ka guxim që të pajtohet me Serbinë.

Kryeministri i vendit i ka bërë thirrje Serbisë dhe Vuçiqit  që ta njohin Kosovën në kufijtë aktual dhe të drejtën e saj për të qeverisur.

“Paqen e bëjnë të guximshmit, e ne guxojmë me u pajtua me Serbinë. I bëjmë thirrje popullit të Serbisë, edhe Vuçiqit që ta njeh Kosovën në kufijtë aktual. Në mënyrë që ne të qeverisim, të punojmë më shumë, në luftimin e korrupsionit, forcimin e vendit dhe ligjit në vendin tonë”, ka thënë Haradinaj para të pranishmëve.

“Kosova është e gatshme me u pajtua dhe si e tillë i bënë thirrje për pajtim Serbisë”.

Ndërkohë, tutje kryeministri, ka falënderuat ish-presidentin amerikan, Bill Clintonin si dhe Albrightin për ndihmesën që i kanë dhënë Kosovës ndër vite.

“President Clinton, jeni në shtëpinë e juaj. Zoti e bekoftë Kosovën. Ju me avionët tuaj i ndalet trenat e vdekjes dhe spastrimin etnik. Sot një popull ju falënderojmë gjithë jetën”, ka deklaruar në fund, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

(I plotësuar – 12:41) – Veseli: Kosova do të jetë gjithmonë, kudo dhe kurdo me SHBA-të

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha në ceremoninë qendrore për 20 vjetorin e çlirimit se liria e Kosovës është meritë e dëshmorëve të UÇK-së dhe ndihmës së madhe të SHBA-së.

“Sot, ne festojmë 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës, duke pasur në mesin tonë miqtë më të mëdhenj të lirisë sonë, të kombit tonë, të atdheut tonë: Presidentin Clinton, Zonjën Sekretare Albright, Gjeneralin e Shpresës – Clark, përfaqësuesit e tashëm të administratës amerikane, përfaqësuesit nga shumica e vendeve mike të Kosovës”, tha Veseli, raporton lajmi.net.

Ai tha se bota perëndimore në krye me SHBA-të para dy dekadash shpëtian kombin shqiptar.

“Ju, 20 vjet më parë, shpëtuat një komb të tërë. Shpëtuat fëmijët e pastrehë dhe të frikësuar. Prindërit e pashpresë dhe të tmerruar. Nënat, gratë, vajzat e pambrojtura. Një popull të tërë nga gjenocidi. Dhe, mbi të gjitha, i dhatë kuptim vlerave njerëzore, për të treguar se askush, asnjëherë, nuk do të shtypet, nëpërkëmbet dhe rrezikohet vetëm pse tjetri mund ta bëjë këtë dhe është më i fortë. Garant i këtij humanizmi qëndron gjithmonë vendi i lirisë dhe demokracisë në botë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Veseli.

(I plotësuar – 12:46) – Palmer kërkon paqe me Serbinë në 20-vjetorin e Çlirimit të Kosovës

Zëvendës-ndihmësi i sekretarit të Shtetit të Amerikës, Matthew Palmer, në 20-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, ka kërkuar që të arrihet marrëveshja përfundimtare me Serbinë.

Palmer ka thënë po ashtu se më 1999, intervenimi i NATO-s, gjunjëzoi regjimin e Sllobodan Millosheviqit.

“Sot po shënjojmë 20 vjetorin e mbylljes së operacionit të forcave të NATO-s dhe KFOR-it. Ne e njohim me respekt sakrificat e NATO-s që kanë bërë. NATO-ja ka intervenuar pas të gjitha shtrembërimeve dhe përpjekjeve diplomatike dhe ai intervenim ka qenë shansi i fundit për të gjunjëzuar regjimin e Millosheviqit dhe për të ndaluar shkatërrimet në këtë vend.  Rrethanat në vitin 1999 kanë kërkuar qëllimin që të shmangim një katastrofë të madhe”, ka deklaruar Palmer, raporton lajmi.net.

Palmer në fjalimin e tij, ka ripërsëritur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë çdo herë pranë Kosovës dhe se qytetarët e Kosovës kanë treguar se janë partner i mirë i SHBA-ve.

“Qytetarët e Kosovës kanë demonstruar se mund të jenë një partner i besueshëm i komunitetit ndërkombëtar. Përkrahja e SHBA-ve për këtë shtet e shton këtë rrugëtim dhe këtë përkrahje për arritjen e demokracisë”, theksoi Palmer.

Me këtë, ai theksoi se, vendimi i çlirimit të Kosovës dhe pavarësisë së Kosovës është vendim që nuk ka kthim prapa.

“ Ne nuk jemi në favor të kthimit të orës prapa sa i përket pavarësisë së Kosovës. Kosova është e rritur tani dhe e pjekur mjaftueshëm për të shërbyer si spirancë e demokracisë”, deklaroi Palmer, raporton më tuje lajmi.net.

Ai në 20-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, kërkoi që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshjen përfundimtare në mënyrë që të ketë paqe mes të dyja vendeve dhe t’ia mundësojnë njëra-tjetrës rrugën euroatlantike.

Ai ka thënë se tash është koha që Kosova të marrë vet vendimet sepse siç u shpreh Palmer, ka kaluar koha kur SHBA, NATO, Bashkimi Evropian kanë marrë vendim për Kosovën.

“SHBA-të do të jenë në anën tuaj pranë jush, por SHBA, BE, NATO ka kaluar kohë që do të futen në krahët tuaj dhe të marrin vendime që mos t’ia lënë këtë qytetarëve tuaj dhe politikës. Jemi privilegjuar kur vije fjala për zbatimin e ligjit. Përparimi kërkon zotim nga liderët e Prishtinës dhe Beogradit për të siguruar mbrojtjen e pakicave dhe të sjellin para drejtësisë kryerësit e krimeve… ata duhet t’i lënë në një anë retorikat nacionaliste. Shpalosja e viktimave dhe traumave të luftës nuk ju shërben, SHBA është pranë jush, por tani është Kosova që duhet të bëj një paqe dhe të arrijë marrëveshje përfundimtare me Serbinë, marrëveshje me njohje reciproke dhe kjo do të arrinte një paqe në rajon. Kosova dhe Serbia gjithmonë do të jenë fqinjë dhe të dy vendet duhet të zhbllokojnë të ardhmen evropiane dhe të mendojnë nga e ardhmja”, theksoi Palmer.

Sipas tij, është koha e fundit që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshjen përfundimtare ligjërisht të obliguar për të dyja vendet.

“Nuk ka kohë më të mirë dhe më të përshtatshme për të arritur këtë marrëveshje përfundimtare. Një gjë të tillë e bënë edhe Greqia e Maqedonia dhe tani duhet të kërkohet një qëndrueshmëri dhe duhet të bëhet sikurse 20 vite më parë për ta thyer këtë pengesë. Nëse Kosova nuk vazhdon përpara dhe nuk vazhdon në zhbllokimin do të prishet ai cikët drejt së ardhmes”, theksoi Palmer.

(I plotësuar – 12:23) – Fjalim emocionues i presidentit Clinton, kujton gëzimin e kosovarëve të para 20 viteve

Ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton ka mbajtur një fjalim prekës para popullit të Kosovës në sheshin ‘Skenderbeu’.

Clinton ka thënë se ndihet krenar që ka kontribuuar në çlirimin e Kosovës dhe kundër spastrimit etnik.

“Ëshët një ditë e rëndësishme, sot dëshiroj të flasë kryesisht për të ardhmen, pikë së pari një rrëfim të shkurtër për të kaluarën. I falënderoj qytetarët e Kosovës për këtë mirëpritje që na bëhet neve. Më pëlqen shumë, e duam këtë vend dhe gjithëher do të jetë nderi më i madh në jetën time që kam qëndruar me juve kundër spastrimit etnik dhe për lirinë. Jam i nderuar që jam me njerëzit që kanë qenë pjesë e asaj beteje me Albright dhe gjeneralin Clark. E kam një poster të vogël në New York dhe ky është një poster që është edhe në Prishtinë, në atë fotografi të gjithë ishim aty, çdo ditë që qëndrojë në atë zyrë e shikoj atë fotografi për t’ia kujtuar vetës qëllimin që kishim”, ka deklaruar Clinton, raporton lajmi.net.

Me emocione, ai ka thënë se i kujton fytyrat e qytetarëve 20 vite më parë, kur festuan lirinë.

“Më kujtohen fytyrat e qytetarëve kur isha këtu para 20 viteve, atë ditë thash 79 ditë të bombardimeve e kanë fituar këtë luftë por vetëm qytetarët e Kosovës mund ta fitojnë paqen. Pas 20 vitesh mendoj se ju keni arritë të fitoni paqen. E di që gjëja më e rëndësishme është ajo të dimë se çfarë duhet të bëjmë. 30 vite më parë kur ra muri i Berlinit, shumë menduan se do jetë një kohë e mirë dhe gjitha vendet do të pajtohen, mirëpo nuk ndodhi ashtu”.

Clinton ka theksuar se nuk ka dashur që shekulli i 20-të të përfundojë si ripërsëritje e asaj që kishte nisur, me luftëra.

(I plotësuar – 12:20) – Albright tregon rrugëtimin e vendimit për çlirimin e Kosovës: Asnjëherë nuk do t’ju harrojmë

Ish-Sekretarja e Shtetit, Madeline Albright, ka mbajtur një fjalim emocionues në 20-vjetorin e Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Në një fjalim emocionues, Albright, ka thënë se 20 vjet më pas, në Kosovë shumë gjëra kanë ndryshuar, por që sipas saj, më e rëndësishmja është se qytetarët kosovarë i dëshmuan botës se janë për një shtet të lirë e demokratik.

“Shumë ka ndryshuar që nga ajo ditë në këto dy dekada. Qytetarët e Kosovës i dëshmuan botës se janë për një shtet demokratik dhe të drejtë. Ju keni krijuar qeveri, keni mbajtur zgjedhje, keni medie të lira. Kjo ka qenë një punë e zellshme dhe qytetarët e Kosovës kanë arsye për t’u mburrur dhe komuniteti ndërkombëtar çdo herë”, ka deklaruar ndër të tjera Albright, raporton lajmi.net.

Ajo po ashtu, kujtoi disa momente nga vizita e saj në kampin e refugjatëve kosovarë në Maqedoninë Veriore.

Albright, ka thënë se nga aty iu ka premtuar qytetarëve se do të kthehen në Kosovë dhe se trupat e NATO-s, do të kujdesen për lirinë e tyre.

“Lufta në Kosovë ka qenë një përbërje ndërmjet lirisë dhe demokracisë. Ne ia dolëm sepse kauza jonë ishte e drejtë. Fushata jonë vendosjes në forcat e drejtësisë. Për më tepër 1 dekadë aleanca jonë mbetën të fortë dhe pavarësisht kritikave dhe ne i dëshmuam botës se kur bashkohet diplomacia. Në ditët e fushatës sonë ka qenë një kamp në Maqedoni.Një djalosh po mbante një pankartë që shkruante “E dua Amerikën dhe dua të kthehem në Kosovë”. Unë fola me nënë e tij dhe ajo më tregoi se gjyshi i tij kishte vdekur….Ju thashë kur të ktheheni NATO-ja do të jetë aty dhe do t’ju ndihmojnë që t’i ktheheni jetës normale. Dhe iu falënderoj të gjitha trupave që kanë shërbyer në Kosovë”, deklaroi Albright.

Ish-Sekretarja amerikane falënderoi ish-presidentin Clinton për vendimin e tij, pasi që sipas Albright, ky vendim nuk ishte aq i lehtë siç mund të jetë dukur.

“Ky nuk ka qenë një vendim i lehët qysh mund ta paramendoni dhe ne kemi pasur shumë diskutime. Dhe presidenti Clinton ka qenë ai që ka bindur aleatët se kjo ishte gjëja e duhur. Dhe unë i thashë, po President ne jemi me ty”, deklaroi Albright.

Në fund, ajo ka thënë se Amerika dhe ajo personalisht asnjëherë nuk do ta harrojë popullin e Kosovës dhe do ta mbështes në çdo rrugëtim.

“Asnjëherë nuk do t’ju harrojmë dhe ardhmja e juaj është këtu. Ne do t’ju mbështesim juve. Shpresoj që Kosova të jetoj dhe presporoj çdo herë”, tha në fund Albright.

(I plotësuar – 11:58) – Presidenti Thaçi në Ditëlindjen e Lirisë: Kosova është mburrja dhe krenaria jonë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në manifestimin qendror për shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s, ua ka uruar gjithë qytetarëve 12 qershorin, ditëlindjen e lirisë së Kosovës.

“12 qershori është në themelet e identitetit tonë si qytetarë, si popull, si Kosovë, si pjesë e pandashme e Evropës dhe Perëndimit”, ka thënë presidenti Thaçi, përcjell lajmi.net

Kreu i shtetit ka thënë se ajo çfarë bëri në pranverën e vitit 1999-të, Bota e Qytetëruar, e personifikuar në SHBA-në, Bashkimin Evropian, Aleancën Veriatlantike, ka qenë një hap i madh dhe i jashtëzakonshëm.

“Ne mburremi që jemi sot populli më proamerikan, më properëndimor dhe më proevropian në këto anë të botës”, ka thënë ai, duke theksuar se liria e Kosovës është vlerë e përbashkët e të gjithë neve këtu.

(I plotësuar – 11:58) –  Fuqia e emrit Bill Clinton ngritë në këmbë gjithë Kosovën

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, miku i madh i Kosovës, Bill Clinton është nderuar nga të gjithë të pranishmit që ndodhën në ceremoninë e organizuar për nder të 20 vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë.

Të gjithë u ngritën në këmbë dhe duartrokitën për disa minuta emrin e mikut të madh Kosovës.

(I plotësuar – 11:36)- Gjithçka në syrin e snajperistëve, siguri maksimale në Prishtinë

Sigurimi i hapësirës po bëhet nga snajperitët e Policisë së Kosovës të pozicionuar në pika të larta të objekteve.

Forca të shumta të Njësisë Speciale janë duke e vëzhguar hapësirën ku do të mbahet ceremonia e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës nga NATO, raporton lajmi.net.

Sigurimi i hapësirës po bëhet nga snajperitët e Policisë së Kosovës të pozicionuar në pika të larta të objekteve, raporton lajmi.net.

Gjithashtu, për t’i ofruar siguri Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ish-sekretarja e shtetit, Madeleine Albright, ish-shefi i NATO-s, Wesley Clark dhe ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, të cilët janë duke qëndruar në hotelin e zv.kryeministrit Pacolli, në qendër të Prishtinës, po përkujdesët policia e Kosovës e cila ka rrethuar cdo këndë të objektit.

(I plotësuar – 11:28)- Këto personalitete po marrin pjesë në shënimin e 20 vjetorit të Ditës së Çlirimit

Në sheshin ‘Skënderbeu’ të kryeqytetit, janë mbledhur qindra qytetarë, për nder të festës së Ditës së Çlirimit.

Në këtë tubim, po marrin pjesë personalitete të rëndësishme nga vendi dhe bota.

Të pranishëm janë, ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, ish-sekretarja Medeliene Albright, gjenerali amerikan, Wesley Clark, Mattheë Palmer, Drejtor për Evropën Qendrore dhe Jugore i SHBA-së, ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Disa nga këto personalitete, pritet të mbajën fjalë rasti.

(I publikuar në 10:56)- Në sheshin ‘Skënderbeu’ janë mbledhur qindra qytetarë, ku do të zhvillohet një ceremoni për nder të kësaj dite, shkruan lajmi.net.

Në këtë ceremoni, do të marrin pjesë personalitete të rëndësishme nga vendi dhe bota.

Dje në Prishtinë ka arritur, ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, ish-sekretarja Medeliene Albright dhe gjenerali amerikan, Wesley Clark.

I pranishëm në ceremoni është edhe Matthew Palmer, Drejtor për Evropën Qendrore dhe Jugore i SHBA-së.

Ndërkohë, forca të shumta të policisë dhe njësia speciale po monitorojnë sheshet e kryeqytetit. /Lajmi.net/

Ceremonia LIVE në Prishtinë: