Standardi është Europian

Ambasadori Britanik Ian Cliff thotë se ndërkombëtarët nuk do t’i mbyllin sytë nëse parregullsitë do të shfaqen në këto zgjedhje.

Lajme

01/11/2013 17:07

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, ka thënë se zgjedhjet e 3 nëntorit janë shumë të rëndësishme për shkak të pjesëmarrjes së komunave të veriut dhe kohës që përkon me hapjen e negociatave të Kosovës me bashkimin Europian për Marrëveshjen Stabilizim- Asocim.

“Këto zgjedhje janë lokale por gjithashtu janë zgjedhje shumë të rëndësishme dhe kjo për dy arsye. Së pari këto zgjedhjet janë të parat ku komunat veriore do të marrin pjesë, ne e dimë që dalja do të jetë e ulët në veri por është shumë e rëndësishme që ne të sigurojmë që zgjedhjet të nxjerrin autoritete legjitime dhe kredibile për herë të parë në komunat veriore, me të cilët mund të bashkëpunojë komuniteti ndërkombëtar, me të cilët mund të bashkëpunojë dhe Prishtina por dhe Beogradi”.

“Aspekti tjetër i dytë shumë i rëndësishëm është se këto zgjedhje janë duke u zhvilluar pak kohë pasi Kosova ka filluar negociatat e saj me MSA’në, Kosova tashmë e ka më të qartë rrugën e saj drejt BE’së që ishte edhe çështje e zgjedhjeve të kaluara lokale të 2009, por gjithashtu edhe të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2010”.

“Pra është shumë më e rëndësishme që në këto zgjedhje, të jenë me standarde evropiane dhe mendoj që unë dhe kolegët e mi kemi dhënë një mesazh të qartë, se për ne pra BE nuk do të ketë vullnet që të mbyllim sytë përpara keqpërdorimeve në zgjedhje. Kosova është në rrugën e saj drejtë Evropës dhe këto zgjedhje do të maten sipas standardeve evropiane”.

“Prandaj ne jemi të nderuar që të punojmë me Demokracinë në Veprim sepse edhe pse kemi një mision monitorues të BE’së, Kosova vet është një vend unik”, tha Cliff pas takimit që mbajti sot me drejtuesit e koalicionit vëzhgues vendor “Demokracia në Veprim”.

Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim bëri thirrje për partitë politike në vend që  të dielën t’i heqin posterët partiakë të tyre ndërsa me 3 nëntor të ushtrojnë të drejtën e votës.

“Kjo fushatë ka qenë e qetë nga incidentet, me  mungesë të gjuhës së ashpër për dallim nga fushatat tjera”.

“U bëjmë thirrje partive politike të Kosovës që të dalin me 3 nëntor në zgjedhje, të ushtrojnë të drejtën e tyre për të shprehur besimin dhe vullnetin e tyre për të vendosur kush do të menaxhojë me vullnetin e qytetarëve”.

“Gjithashtu u bëjmë thirrje partive që ditën e diel t’i heqin tiketat e partive politike, mos të jenë të varur nga tiketat partiake, sepse garanca e procesit zgjedhorë nuk duhet të reduktohet se kush do të jetë i pari në këtë proces zgjedhor por duhet të garantuar në standardet të cilat krijojnë zgjedhje të lira dhe fer”.