Sterling falënderon Bernardon, thotë se është përmirësuar shumë nga portugezi

18:15 | 17 Maj 2019

Ylli i Manchester City, Raheem Sterling, i cili këtë edicion ishte nga kandidatët kryesorë për të fituar çmimin ‘Lojtari i Vitit’ në Premierligë (i mposhtur nga Van Dijk), ka treguar se kush është personi që e ka përmirësuar atë.

Sterling i ka dhënë meritat ardhjes së Bernardo Silvas në skuadër, për transformimin e karrierës së tij tek Manchester City.

Ardhja e portugezit në ‘Etihad’ në vitin 2017 e ka ndihmuar anësorin anglez që paraqitjet e tij të jenë në një nivel tjetër.

“Isha kthyer në Londër për të takuar një mik timin dhe ai më tha ‘Ata sapo kanë blerë Bernardo Silva’. Ai ishte i shqetësuar për mua. Dhe unë i thosha ‘Është shumë mirë mik’. Ai ishte i surprizuar, por unë besoja se ishte e mirë. Kompeticioni do të jepte më të mirën nga unë” ka thënë Sterling për ‘Mirror’,  transmeton lajmi.net.

“Ajo ishte një pikë kthimi masive, kur anësorët  erdhën për të më shtyrë mua. Ishte gjë e mirë” ka thënë tutje anglezi.

“Gjatë asaj kohe, ishim vetëm unë dhe Leroy (Sane) dhe unë e dija se do të më shtynte mua të bëhesha më mirë, sepse e dija se ishte edhe dikush tjetër. Kur je në një skuadër, nuk ka të bëjë me egon, ka të bëjë me ngritjen e lojës tënde për të ndihmuar skuadrën” ka thënë tutje anësori i ‘Citizens’.

Edhe Bernardo Silva ishte një nga lojtarët më të mirë të Manchester City këtë edicion, duke mbuluar për mrekulli hapësirat e lëna nga De Bruyne dhe duke u kthyer në lojtarin kryesorë të Guardiolas. /Lajmi.net/