Studentë nga Berlini lansojnë projektin “Diaspora Voto”

Disa studentë shqiptarë të Kosovës që jetojnë dhe studiojnë në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin kanë marrë një iniciativë senzibiluese për ti njoftuar diasporën për mënyrën se di mund të votojnë në Zgjedhjet Parlamentare të 8 qershorit. 

Lajme

16/05/2014 15:18

“Diaspora Voto!” quhet iniciativa qytetare e publikuar në internet, e cila ka për qëllim të informojë shqiptarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit rreth mënyrës së votimit, raporton albinfo.ch.

Ky grup i studentëve ka bërë të ditur formën e votimit përmes postës, një mënyrë që diaspora kosovare mund ta shfrytëzojë për të dhënë votën e tyre.

“Ajo që po bëjmë këto ditë është shfrytëzimi i rrjeteve sociale që të publikojmë informatat rreth procedurës së regjistrimit dhe votimit të votuesve nga jashtë”, ka thënë për albinfo.ch njëri prej iniciatorëve, Bersant Deva, doktorant i shkencave kompjuterike në Universitetin Teknik të Berlinit.

“E drejta e votës garantohet nga kushtetuta e secilit shtet në trojet shqiptare dhe shpresojmë që bashkatdhetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre. Te “Diaspora Voto!” është fjala për informimin e votimit nëpërmjet postës”, tha Deva, duke premtuar zgjerimin e një iniciative të tillë edhe për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë.

Që “Diaspora Voto!” të arrijë te secili, iniciatorët kërkojnë përkrahjen e kujtdo që ka vullnetin të paktën të publikojë iniciativën në facebook ose në webfaqe.

Përmes informatave të siguruara nga burimet zyrtare, kjo iniciativë qytetare mundëson që qytetarët me të drejtë vote të njoftohen me procedurat e votimit përmes postës nga shtetet e jashtme.

Sido që të jetë, në zgjedhjet lokale të 2013-ës në Kosovë kanë votuar përmes postës nga jashtë vetëm 1500 qytetarë të Kosovës.