Synimet e Kryeministrit për vitin 2014

Kryeministri Thaçi, në një koktej të organizuar nga Përfaqësues të BE’së në Kosovë, thotë se synim i Qeverisë së tij për vitin 2014 është përmbyllja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe plotësimi i kritereve për liberalizimin e vizave.

Lajme

30/01/2014 22:30

Kryeministri Hashim Thaçi e ka quajtur të mrekullueshme mbrëmjen e së enjtes, në të cilën BE tuboi liderët politikë kosovarë në një koktej për fillimin e vitit 2014.

Në pritjen e organizuar në Prishtinë, nga Përfaqësuesi i BE’së Samuel Zbogar dhe Shefi i EULEX’it Bernd Borchardt, ku u ngrit dolli për një vit të mbarë, Kryeministri i Kosovës e ka quajtur vitin e kaluar si vit të avancimit.

Thaçi ka deklaruar se 2013 ishte i karakterizuar me një dinamikë europiane, ndërsa ka pohuar se synim i tij për vitin 2014 është përmbyllja e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe plotësimi i kritereve për liberalizimin e vizave.

“Viti që lamë pas ka qenë vit i i avancimit të dukshëm të agjendës europiane të Republikës së Kosovës, si në aspektin e reformave të ndërmarra ashtu edhe në mundësitë që na janë hapur si rezultat i përkushtimit dhe qasjes europiane që na ka karakterizuar.”

“Gjatë vitit të kaluar, kemi filluar negociatat për Marrëveshjen Stabilizim-Asociim, me çka edhe kemi hapur një kapitull të ri në procesin integrues të vendit tonë,  dhe kemi filluar një rrugëtim të përbashkët të pakthyeshëm që ndodh një herë në historinë e një vendi.”

“Negociimi i Marrëveshjes Stabilizim-Asociimi ka vulosur përcaktimin strategjik të shtetit tonë për të qenë anëtar i Bashkimit Europian.”

“Viti 2013 është karakterizuar me një dinamikë të veçantë në agjendën europiane të Kosovës. Kosova është bërë anëtare e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, anëtare e Bankës Zhvillimore të Këshillit të Europës, kemi nënshkruar Marrëveshjen Kornizë me Bankën Europiane për Investime, si dhe kemi vazhduar punën e palodhshme drejt përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave.”

“Para së gjithash, ky progres është meritë e qytetarëve të Kosovës, dhe gjithë spektrit politik në vend, pozitë dhe opozitë.”

Kryeministri Hashim Thaçi, më tutje, në fjalën e tij, ka thënë se progresi në avancimin e shtetit të Kosovës e bën të gjejë motivim shtesë për të vazhduar reformat.

“Këto reforma kanë për qëllim përmirësimin e  jetës së përditshme të qytetarëve tonë, që do kurorëzohet me anëtarësimin e plotë të vendit tonë në BE.”

“Synimi strategjik i Qeverisë sime për vitin 2014 është përmbyllja e negociatave për Marrëveshjen Stabilizim Asociimi dhe plotësimi i kritereve për liberalizimin e vizave”, është shprehur Kryeministri Thaçi.