Tahiri: OKB t’i mbrojë gratë e dhunuara në luftën e Kosovës

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri ka kërkuar nga  Organizata e Kombeve të Bashkuar, që gratë e dhunuar gjatë luftës në Kosovë të mbrohen me mekanizma ndërkombëtar dhe në pajtim me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 2106. Ajo ka kërkuar nga Ban Ki Moon të përgatisë një Raport për gratë e dhunuara në luftën e Kosovës.

Lajme

10/05/2014 16:53

Zëvendëskryeministrja në ikje e Kosovës, Edita Tahiri ka kërkuar që Organizata e Kombeve të Bashkuar (OKB), të angazhohet për çështjen e grave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Tahiri gjatë takimit që pati në New York me Zainab Hawa Bangura, Zëvendës Sekretare e Përgjithshme e OKB-së dhe Përfaqësuese e posaçme mbi dhunën seksuale në konflikte, tha se gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë duhet të mbrohen me mekanizma ndërkombëtar dhe në pajtim me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 2106.

Në një njoftim nga Zyra për Komunikim e Qeverisë së Kosovës, thuhet se Tahiri ka kërkuar që Sekretari Gjeneral i OKB-së, Ban Ki Moon, të përgatisë një Raport për gratë e dhunuara në luftën e Kosovës, duke argumentuar që më herët është nxjerr një raport global nga Sekretari Ban, ku në atë raport nuk është përfshirë Kosova dhe Kroacia.

“Dhunimi i grave gjatë luftës në Kosovë ishte një mjet i luftës gjenocidale që Serbia e bëri kundër popullit të Kosovës, dhe se kjo çështje duhet të trajtohet nga ana e OKB-së me qëllim që gratë viktima të kësaj forme brutale të gjenocidit të mbrohen me mekanizma ndërkombëtar dhe në pajtim me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 2106”.

“Ne, populli i Kosovës, dëshirojmë që OKB t’i aktivizoj mekanizmat e vet dhe të hetojë e hartojë një raport për këtë problem dhe tragjedi të shkaktuar gjatë luftës në Kosovë”.

“Drejtësia ndërkombëtare ka obligim t’i mbrojë gratë të cilat janë të dëmtuara shumë gjatë luftës në Kosovë e që llogariten si viktimat e dhunimit seksual, numri i të cilave është mbi 20 mijë”.

“Akterët e këtyre veprave gjenocidale në Kosovë nga ana e regjimit Serb të Millosheviqit, duhet dalin para drejtësisë si krime kundër njerëzimit, në emër të vendosjes në vend të drejtësisë se vonuar”. thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra për komunikim e qeverisë.

Tahiri, po ashtu njoftoi lidhur me iniciativën e grave të Kosovës të cilat kanë nisur përgatitjet për të nënshkruar një peticion nga qytetaret e Kosovës, ku i adresohet OKB-së dhe i bëhet thirrje kësaj organizate që të zbatojë drejtësinë ndërkombëtare për gratë e dhunuara të Kosovës  si dhe të përgatitet një raport hetues i OKB-së konform rezolutës 2106 e cila kërkon angazhim për t’i mbrojtur gratë e dhunuara gjatë luftërave.

Nga ana tjetër, Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e OKB-së, premtoi përkrahje në çështjen e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, duke shprehur gatishmëri për të vazhduar bashkëpunimin për trajtimin të drejtë të kërkesave tona për të vënë drejtësi për pasojat e shkaktuara gjatë luftës në Kosovë.