Takimi me Thaçin u anulua për “arsye urgjente”

E plotësuar: Ambasada Gjermane në Prishtinë sqaron se Ministrja Federale e Mbrojtjes e Republikës Federale të Gjermanisë, Ursula von der Leyen, për arsye urgjente zyrtare është dashur të kthehet para kohe, ashtu që takimet e planifikuara fillimisht me Qeverinë e Republikës së Kosovës nuk janë realizuar.

Lajme

16/05/2014 09:15

Mediat në Kosovë, anulimin e takimit me kryeministrin Hashim Thaçi e kishin vlerësuar si të qëllimshëm duke shtuar se “pala gjermane nuk dëshironte që takimi të keqpërdorej nga Thaçi për fushatë elektorale”.

Duke mos saktësuar se cilat ishin arsyet urgjente, Ambasada Gjermane i demanton të gjitha spekulimet e shtypit, të cilat japin arsye të tjera.

—————————————-

Ministrja gjermane \’shmang\’ takimin me Thaçin

Qeveria gjermane vazhdon t’u shmanget takimeve me Hashim Thaçin. Gjatë vizitës në Kosovë, ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, ka anuluar një bisedë me kryeministrin e Kosovës.

Ministrja e Mbrojtjes e Republikës Federale të Gjermanisë, Ursula von der Leyen, ka përfunduar të enjten vizitën dyditore në Republikën e Kosovës, por nuk ka gjetur kohë ta takojë kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan “Koha Ditore”.

Takimi me Thaçin ishte caktuar më herët dhe ishte paraparë të zhvillohej të enjten, por është anuluar papritmas. Këtë “Kohës Ditore” ia kanë konfirmuar gazetarë gjermanë që shoqëruan delegacionin e ministres Ursula von der Leyen.

Mosrealizimi i takimit zyrtarisht është arsyetuar me “mungesë kohe”, por shkaku i vërtetë, sipas burimeve, ishte se pala gjermane nuk dëshironte që takimi të keqpërdorej nga Thaçi për fushatë elektorale.

Bie në sy se agjenda e Thaçit, të enjten, ka qenë e zbrazët mes dy aktiviteteve që ka pasur në orën 12:00 dhe tjetrit në orën 17:00 pikërisht mes tyre ishte planifikuar takimi me Ursula von der Leyen, shkruan KD.