Thaçi beson në fqinjësinë e mirë serbo-shqiptare
Kryeministrat Thaçi e Dacic, bashkë me Baroneshën Ashton, janë paraqitur para një paneli të zgjedhur, në Konferencën e Sigurisë në Myhnen. Thaçi ka thënë se bashkëpunimi Kosovë-Serbi është i vështirë emocionalisht, por politikisht më se i arritshëm.

Lajme
Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic janë shfaqur së bashku para një publiku me liderë botërorë në Mynhen të Gjermanisë.
Të dy Kryeministrat në mes kanë pasur Shefen për Politikë të Jashtme të Bashkimit Europian, Catherine Ashton, e cila tash sa kohë për ndërmjetëson takimet e tyre të përbashkëta në Bruksel, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
Kjo ishte edhe tema e tyre sot si panelistë në Konferencën e Sigurisë në Mynhen.
Për të informuar opinionin kosovar për këtë ngjarje është përkujdesur vetë Kryeministri Thaçi, i cili në llogarinë e tij në Facebook ka publikuar foto nga paraqitja e sotme si panelist, të cilat i ka shoqëruar edhe me pikëpamjet që ka ndarë me publikun e kësaj konference.
“Sot isha panelist në Konferencën e Sigurisë në Mynhen. Para publikut me liderë botërorë, ministra të jashtëm europianë, senatorë dhe deputetë, media globale dhe udhëheqës ushtarakë, paraqita disa teza në debat me Baroneshën Ashton dhe Kryeministrin Dacic, organizuar enkas për ta shënuar suksesin historik të dialogut”.
“Paqja nuk arrihet duke evokuar emocionet e së kaluarës”.
“Bashkëpunimi i ndërsjellë Kosovë-Serbi është i vështirë emocionalisht, por politikisht dhe praktikisht më se i arritshëm”.
“Faktet e hidhura të konfliktit njëshekullor janë të rënda, por argumentet e së ardhshmes janë më të fuqishme për arritjen e paqes”.
“Të dy Kryeministrat do të fitonin më shumë duartrokitje në kryeqytetet tona, nëse nuk do t’a arrinim marrëveshjen”.
“Ekziston bindja në Serbi dhe Kosovë por edhe më gjerë se serbët dhe shqiptarët jane armiq ‘organikë’ dhe se kurrë nuk do të mund të bashkpunojnë. Unë nuk i besoj kësaj logjike. Konflikti ka krijuar një hendek dhe urrejtje të thellë, por unë besoj në fqinjësi të mirë serbo-shqiptare”.
“Marrëveshja nuk është dorëzim i njëri-tjetrit por reflektim për mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë. Çfarëdo arritje e paqes është më e vështirë se fillimi i konfliktit”.
Kryeministri Dacic, Baronesha Ashton dhe Kryeministri Thaçi sot në Mynhen. Foto: AP