Thaçi i kënaqur me përgatitjet për zgjedhje (Video)

Kryeministri Thaçi vlerëson përgatitjet që po bëhen për zgjedhjet e 8 qershorit. Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Kryeministri në ikje ka përshëndetur ndryshimet e statuteve të katër komunave në Veri, ndërsa ka dhënë përkrahje edhe për ndeshjet miqësorë në mes të Kosovës – Truqisë dhe Senegalit. 

Lajme

16/05/2014 14:59

Kryeministri në ikje, Hashim Thaçi, gjatë mbledhje së Qeverisë ka folur për angazhimin e institucioneve relevante për përgatitjen e Zgjedhjeve Parlamentare.

Thaçi ka shprehur falënderimin për të gjitha institucionet që janë përfshirë në përgatitjen e zgjedhjeve më 8 qershor, si Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por edhe për faktorët ndërkombëtar, siç janë Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara Evropiane dhe OSBE-ja.

Në këtë mbledhje të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Thaçi, ka përshëndetur edhe ndryshimin e statuteve të katër komunave me shumicë serbe në Veri të Kosovës.

Ndërsa, është miratuar edhe Strategjia për Asistencë në Sektorin e Sundimit të Ligjit në Kosovë për vitet 2016-2019.

“Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar Strategjinë për Asistencë në Sektorin e Sundimit të Ligjit në Kosovë 2016-2019, e cila definon qasjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj programit shumëvjeçarë për asistencë ndërkombëtare, bashkërendim të donatorëve dhe mekanizmave bashkëpunues, si dhe masave prioritare për përforcimin e sundimit të ligjit, me fokus në drejtësi dhe punë të brendshme”.

“Objektiv i përgjithshëm i kësaj strategjie është përmirësimi i kushteve për sundimin e ligjit dhe avancimi në proceset e integrimeve evropiane, përmes planifikimit, programimit dhe rritjen e efektivitetit të asistencës së donatorëve në përputhje me prioritetet strategjike nacionale”.

“Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme dhe zotëruesve të interesit në pronat të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, në zonat kadastrale të Graqanicës dhe Lipjanit”.

“Është miratuar edhe Koncept Dokumenti për Politikën e “falimentimit”, i cili është hartuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, me përkrahjen të USAID-it, shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit”.

“Me propozimin e Ministrisë së Financave, është miratuar nisma për negocimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e projektit për efiçencë të energjisë dhe energjisë së ripërtritshme”.

“Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin që t’i rekomandojë Presidentes së Republikës së Kosovës që të autorizojë Ministrinë e Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Financimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me Projektin për Reformën e Shëndetësore në Kosovë”.

“Qeveria ka përshëndet harmonizimin e statuteve të katër komunave veriore me legjislacionin e Kosovës dhe ka shprehur angazhimin e saj për të mbështetur zhvillimin dhe konsolidimin e pushtetit lokal në këto komuna”.

“Qeveria i ka dhënë mbështetje edhe organizimit të ndeshjeve miqësore të kombëtares së futbollit të Kosovës me Turqinë dhe Senegalin”.