Thaçi kërkon zgjidhje për situatën e krijuar në UP

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se u bënë thirrje organeve përkatëse të universitetit që të dëshmojnë nivel të lartë përgjegjësie, dhe, në bazë të statutit të UP’së dhe legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë, të angazhohen për ta zgjidhur këtë situatë.

Lajme

03/02/2014 10:02

Kryeministri Hashim Thaçi kërkon nga organet e Universitetit të Prishtinës që në respekt të legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë, të angazhohen për ta zgjidhur situatën e krijuar në këtë institucion.

Thaçi ka bërë të ditur përmes Facebooku’ut se është njoftuar për gjendjen në UP nga Ministri i Arsimit, Ramë Buja, menjëherë pas kthimit nga Konferenca e Sigurisë e Mynihut.

“Menjëherë pas kthimit prej Konferencës së Mynihut për Sigurinë, thirra Ministrin e Arsimit, Z. Ramë Buja për të raportuar mbi situatën e krijuar në Universitetin e Prishtinës”.

“Duke respektuar autonominë e Universitetit të Prishtinës u bëj thirrje organeve përkatëse të universitetit që të dëshmojnë nivel të lartë përgjegjësie, dhe, në bazë të statutit të Universitetit të Prishtinës si dhe legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë, të angazhohen për ta zgjidhur këtë situatë”.

Ky është qëndrimi i parë i Kryeministrit Hashim Thaçi për gjendjen e krijuar në UP, pas protestave të studentëve që nisin pas plasjes së skandalit të fundit me botimin e punimeve shkencore në revista të rreme në Indi.