Thaçi, Margarita nënkryetare e PDK-së

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi është paraqitur të mërkurën në selinë e partisë së tij me anëtaren më të re të Minsionit të Ri. Thaci ka prezantuar Margarita Kadriun, kryeredaktore dhe drejtoreshë e të përditshmes Kosova Sot, jo vetëm si anëtare, por edhe si nënkryetare të PDK-së. 

Lajme

14/05/2014 12:28

Thaçi ka thënë se Margatira i bashkohet misionit të ri fitues, misionit për zhvillim ekonomik dhe punësim. Sipas tij ajo (Margarita) është një vlerë intelektuale që i bashkohet PDK-së dhe politikës shtetërore të vendit, jo për t’i marrë, por për t’i dhënë asaj përvojën e suksesit të saj.

“Kadriu do ta ketë hapësirën e mjaftueshme edhe si nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës ashtu edhe në ekipin e ardhshëm qeverisës në funksion të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës”.

Thaci ka thënë se aderimet e reja në PDK nga shoqëria civile, nga komuniteti i biznesit, i medieve dhe i partive tjera politike, janë realisht prurje të pastra dhe jo riciklime sikur që po ndodhin në subjektet tjera.

Ndërsa Kadriu tha se pas 17 viteve në ndërmarrësi dhe në botën e meidas ka vendosur që prej sot të bëhet pjesë e politikës për dy arsye: e parë janë qytetarët e Kosovës  të cilët sipas saj përkundër progresit të vogël  këto 15 vitet e fundit, ata po vuajnë për mungesën e politikanëve dhe politikave të mirëfillta në interes dhe në dobi të tyre.

“Unë do të bëjë maksimumin jo vetëm brenda partisë, por edhe me Qeverinë Thaçi 3 të cilën do ta kurorëzojmë pas zgjedhjeve të 8 qershorit. Qeveria jonë e re do të sjellë ndryshim, jo kozmetik, por përmbajtjesor, të cilën deri më tani i ka munguar politikës kosovare në 15 vitet e fundit.

Kadriu po ashtu ka bërë të ditur që prej sot nuk është më pjesë e stafit të gazetës Kosova Sot.

Gjatë kësaj konference për media, kryeministri në largim, Thaçi, ka ftuar të gjitha partitë politike që të përgatiten që të punojmë për zgjedhje fer, të lira dhe demokratike.

“I kemi ftuar edhe vëzhguesit e Bashkimit Evropian, do të kemi edhe prezencën e shtuar vëzhguese të Shteteve të Bashkuara, andaj kam besim të plotë për organizimin e zgjedhjeve fer, të lira dhe me standarde të larta ndërkombëtare”.