Thaçi, Mustafa, Haradinaj dhe Kurti kandidatë për Kryeministër
Garë e fortë pritet të zhvillohet për postin e Kryeministrit, në zgjedhjet parlamentare. Partitë kanë caktuar kandidatët e tyre për Kryeministër. PDK pritet t’i hyjë garës sërish me Thaçin, i cili do t’i ketë përballë Mustafën, Haradinajn e Kurtin.

Lajme
Ky vit zgjedhor duket se do të prodhojë një betejë të fortë mes forcave kryesore politike të cilat synojnë me çdo kusht postin e Kryeministrit.
Pavarësisht peshës që kanë bazuar në rezultatet e zgjedhjeve lokale të nëntorit të vitit të kaluar, katër forcat kryesore në vend, megjithatë synojnë të udhëheqin me Qeverinë e Kosovës pas zgjedhjeve nacionale, që pritet të mbahen në qershor ose shtator, varësisht nga zhvillimet që do t’i kemi në muajt e ardhshëm.
Qysh tash Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje janë përcaktuar për kandidatët e tyre për Kryeministër.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci, konfirmon për “Kosova Sot” rikandidimin e kreut aktual të Qeverisë, Hashim Thaçi.
“Ne shpresojmë që Thaçi ka treguar rezultate shumë të prekshme në këto dy mandate dhe në asnjëherë, as që kemi menduar për një kandidaturë tjetër edhe për zgjedhjet që i kemi në këtë vit”.
“Unë nuk e besoj që edhe qytetarët do të kërkonin ndryshime, pra edhe po të duam ne, janë qytetarët shumicë të Kosovës ata që nuk do të lejojnë që të ndërrohet kandidati për Kryeministër të Kosovës nga radhët e PDK-së”.
“Sado që është bërë përpjekje për të krijuar një perceptim negativ, unë besoj në vlerësimin e qytetarëve, vlerësim i cili do të jetë tepër pozitiv, sepse do të vlerësohen veprat e arritura dhe të krijuara gjatë këtij mandati qeverisës, të gjitha të mirat që janë të prekshme”.
Edhe partitë opozita kanë përcaktuar kandidatët e tyre.
Sekretari i përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri, thotë për “Kosova Sot” se Isa Mustafa do të ishte një Kryeministër më i mirë se Hashim Thaçi.
“Absolutisht, tashëm, por edhe për shumë arsye të tjera Mustafa mund të jetë, edhe do të jetë një Kryeministër më i mirë se sa ky që është aktualisht”.
E Sekretari i Përgjithshëm i AAK’së, Burim Ramandani, beson fort se kryetari i tij, Ramush Haradinaj do të ishte personi më adekuat për Kryeministër.
“Është e qartë që AAK’ja e ka një program qeverisës dhe udhëheqës i atij programi është ish-Kryeministri më i suksesshëm që ka pasur ndonjëherë ky vend në 100 ditshin e parë, dhe ky është Ramush Haradinaj”.
“Unë besoj që Kryeministri i tashëm, Hashim Thaçi, ka një përvojë më të gjatë në dy mandate, por qytetarët e kanë fituar përvojën e hidhur me keqqeverisjen e tij”.
Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu thotë se si lëvzije ofrojnë alternativën qeverisëse me Albin Kurtin.
Gjithsesi Haxhiu tha se për kandidaturën definitive të Albin Kurtit duhet të vendosin anëtarët e kësaj lëvizjeje.
“Patjetër, ne si subjekt politik e kemi bërë publike tani më alternativën tone qeverisëse dhe i kemi të gjitha kapacitetet për të qeverisur me vendin, dhe po shpresojmë në zgjedhje sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka thënë Haxhiu për “Kosova Sot”.