Thirrje për bojkot në Veri

Sipas Besim Hotit nga Policia e Kosovës, në së paku tri lokacione në veri, serbët jashtë qëndrave të votimit po bëjnë thirrje për bojkot të zgjedhjeve .

Lajme

03/11/2013 09:30

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në veri, Besim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se gjendja e sigurisë në veri është kryesisht e qetë. Megjithatë, ai bëri të ditur se në tri lokacione në afërsi të qendrave të votimit, disa qytetarë janë duke bërë thirrje për të bojkotuar procesin e votimit.

“Së paku në tri lokacione të ndryshme të qendrave të votimit kemi grupe të qytetarëve, të cilët thërrasin për bojkotim të këtyre zgjedhjeve”.

“Këta persona po qëndrojnë në një distancë më të largët nga qendrat e votimit dhe nuk kemi të bëjmë me bllokim të hyrjeve drejtpërdrejt me qendrat e votimit, por vetëm me shprehje të pakënaqësisë së tyre me këtë aspekt të votimit. Thjesht, ata thërrasin njerëzit për bojkotim të këtyre zgjedhjeve”, tha Hoti.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, janë hapur qendrat e votimit. (REL)