Tomisllav Nikoliq thotë se Lugina e Preshevës i takon Kosovës

Një vit pas arritjes së marrëveshjes Prishtinë-Beograd, në Strasburg, Tomisllav Nikoliq ka deklaruar se Lugina e Preshevës i takon Republikës së Kosovës.

Lajme

13/05/2014 19:10

Gazetari serb nga Zrenjanini i Vojvodinës, i cili raporton për Vojvodinën në Këshillin e Evropës, ka thënë se Beogradi nuk do të mund dot ta mbajë me zor as Luginën e Preshevës, pasi nuk mundi ta mbante as Kosovën.

“Nuk mund të flasësh keq apo të akuzosh një popull pa e njohur mirë, pa ia ngrënë bukën. Unë kam ngrënë bukë të shqiptarëve plotë 12 muaj dhe jam mahnitur me traditën, kulturën, sidomos bujarinë dhe mikpritjen e tyre ndaj të huajve, që rrallë e hiç nuk mund ta gjesh, jo vetëm tek popujt në Ballkan, por as në botë. Unë di çdo gropë të rrugëve të Preshevës, e di edhe sot”, ka shtruar ai.

Tomisllav Nikoliq ka deklaruar se situatën politike dhe historike në Luginën e Preshevës e njeh më mirë se Tomisllav Nikoliq (presidenti i Serbisë) në Beograd.

“Unë kam dëgjuar e kam lexuar për shqiptarët e Luginës që kur ajo ishte pjesë e Kosovës, pas largimit të fashizmit nga viset tona e deri tek largimi i lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë. Lugina e Preshevës i takon Kosovës, si veriu i Kosovës, që gradualisht po rrëshqet kah Serbia. Kjo është tepër normale të ndodhë. Një popull nuk mund të mbahet me zor”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij edhe Vojvodina së shpejti pritet të jetë republikë. Sa i përket situatës atje, ai thënë se Vojvodina është në rrugën e mbarë, si Kosova. “Vojvodina së shpejti do të jetë republikë. Nuk shkon më, jemi lodhur me Serbinë që na shkatërroi duke vjedhur gjitha të mirat e vendit tonë. Lirisht mund të them se Vojvodina punon, Beogradi ndërton, siç ka ndodhur me rastin e Kosovës”.

“Unë quhem Tomisllav Nikoliq, por fatmirësisht nuk jam ai. Jam nga Zrenjanini i Vojvodinës. Thash nuk jam si ai, sepse me presidentin e Serbisë nuk na lidh asgjë, vetëm emri dhe mbiemri. E thash që fatmirësisht nuk jam ai, si një qeveri që i prin, sepse unë nuk i kam duart e lyera me gjak. Unë jam thjesht një gazetar nga Vojvodina, ku po raportoj mbi situatën e popullit tim në Këshillin Evropian”, ka shtuar Nikoliq, citon preshevajone.

Sa i takon çështjes për mënyrën se si ai i vlerëson marrëveshjet mes Thaçit dhe Daçiqit,  gazetari serb vlerësoi se negociatat vazhdimisht janë të mirëpritura, sidomos kur rajoni është në luftë apo para konfliktit.

“Sa i përket marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit, është herët të flitet. Por bazuar në atë se raportet serbe dhe kosovare ishin gjatë të ‘helmuara’ dhe të ngrira, padyshim se edhe implementimi i kësaj marrëveshje nuk do të ndodhë sot e as nesër, por do të shkojë gjatë”, ka përfunduar Nikoliq.