Tre rreshta të policisë mbrojnë Rektorin

Policia e Kosovës dhe studentët protestues janë përplasur sot para Rektoratit, në betejën e tyre të radhës për ta marrë kontrollin e hyrjes së këtij institucion. Gjatë kësaj përleshje dy studentë janë lënduar dhe kanë kërkuar ndihmën mjekësore.

Lajme

03/02/2014 08:40

Tre rreshta të Policisë së Kosovës janë vendosur para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës për t’i bërë të mundur Rektorit Ibrahim Gashi që të futet brenda zyrës së tij.

Protestuesit kanë dalë që në orën 07:30 për të protestuar dhe për ta bllokuar hyrjen e Rektoratit,për të pamundësuar aty hyrjen e Rektorit Gashi, të cilit po i kërkojnë me ngulm dorëheqjen pas skandalit të fundit që plasi në këtë institucion me botimin e punimeve shkencore në revista të rreme kinse të kësaj natyre.

Por, kësaj radhe hyrje e tyre brenda oborrit të Rektoratit ka qenë e pamundur, pasi e gjithë hapësira e Rektoratit ka qenë e mbushur me policë që nga orët e para të mëngjesit të sotëm.

Policia ka arritur që të mos lejojë asnjë studentë të futet brenda hapësirës së Rektoratit, ndërsa pas një jave i ka mundësuar të punësuarit në Rektorat të zënë vendet e tyre të punës.

Aktualisht Rektori është brenda në zyrën e tij, ndërsa studentët jashtë rrethojave të Rektoratit. Mes tyre gjendet Policia e Kosovës e cila po mban jashtë Rektoratit studentët protestues të cilët javën e kaluar arritën të bllokojnë punën e këtij institucioni, duke bllokuar hyrjen e tij.

Pajtim Havolli dhe Egzon Ademi janë lënduar rreth orës 08:00 pas tentimit të tyre për ta bllokuar hyrjen e të punësuarve në Rektorat. Ata gjenden në ambulancë ku po marrin ndihmën mjekësore.

Fërkimet me policinë kanë filluar atëherë në momentin kur studentët kanë tentuar të bllokojnë hyrjen në Rektorat për të mos lejuar zhvillimin normal të punës në këtë institucion, për çka ka ndërhyrë Njësia Speciale e Policisë së Kosovës e cila i ka nxjerr jashtë duke i shtyrë të gjithë protestuesit, e ku si pasojë e këtij intervenimi dy prej tyre kanë mbetur të lënduar.

Foto: Bujar Tërstena

Ndryshe bëhet e ditur se Rektori Ibrahim Gashi ka arritur të futet brenda vetëm me ndihmën e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, e cila e ka vendosur atë në mes të kordonit, i cili i ka hapur rrugën atij drejt uljes në karrigen e të parit të Universitetit, e cila po i rrezikohet seriozisht nga protestat e studentëve pas skandaleve të fundit që ndodhën në UP, nën drjetimin e tij.

Studentët: Rektorati nën shtetrrethim

Sipas Këshillit Organizativ të Protestave të Studentëve, rreth 200 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, duke përfshirë njësitet speciale kanë rrethuar çdo cep të Rektoratit.

“Ata nuk janë aty sepse e kanë lokalizuar zonën e krimit dhe u duhet të zhvillojnë hetimet. Janë aty sepse duhet t’i mbrojnë të pabërat e Rektorit Ibrahim Gashi dhe shpurës së tij”.

“Prania e Policisë në Universitet është figura më e qartë për kapjen e Universitetit nga pushteti”.

“Studentët protestues, si çdo ditë tjetër pune, kanë dalë për të bërë punën më të rëndësishme për Universitetin sot: ndalimin e punës së Rektorit mashtrues. Për të mbrojtur Ibrahim Gashin, kolegu i tij Bajram Rexhepi ka nxjerrë kundër studentëve, nga policët e trafikut deri tek Njësitet Speciale”.

“Policia e Bajram Rexhepit, siç i njohim, nuk janë kursyer me brutalitetin e tyre. Gjatë intervenimit të dhunshëm, nga goditjet me shkopinj dhe përplasjet përtokë janë lënduar rëndë studentët protestues Pajtim Havolli dhe Egzon Azemi”.

“Karakteri i pushtetit dhe manifestimi i tij konkret, sot ishin në përputhje të plotë. I dhunshëm është ky pushtet në gjendjen më normale të tij. Dhunë ushtron sa herë që cilido subjekt i shtypur ngritët në rezistencë. Më të dalluar nga kolegët e tyre në ushtrimin e dhunës për të shtypur protestën e studentëve ishin policet me numrat 9354 dhe 9273”.

“Rektori i rrethuar me policë le ta dijë se protesta veç sa ka filluar. I mbetet atij ende shumë për të parë. Marshi i studentëve nga konviktet dhe marshi i qytetarëve nga sheshi do të takohen bash tek bunkeri i tij”, thuhet në komunikatën e studentëve që po protestojnë para UP’së, të prirë nga Lëvizja për Studim, Kritkë dhe Veprim.