Uka është i pastër, po punonte në bashkimin e LDK’së

Astrit Haraqija beson në pafajësinë e djalit të Ish Presidentit Ibrahim Rugova, i cili u arrestua si i dyshuar për krim të organizuar. Ai thotë se Uka është i pastër dhe këto ditë po përpiqej për ta bashkuar LDK’në.

Lajme

05/02/2014 19:32

Astrit Haraqija beson në pafajësinë e Ukë Rugovës, për të cilin EULEX pati dyshime, e hetoi dhe e arrestoi për përfshirje në krim të organizuar, të mërkurën.

Megjithatë, në një deklarim për Klan Kosova, ai është shprehur i sigurt se i biri i Ish Presidentit Ibrahim Rugova është i pastër.

“Unë besoj fuqimisht që në pafajësinë e Ukës dhe absolutisht mund ta keqpërdorë politika, iks individi. Por, jam i sigurt se Uka është qind për qind i pastër”.

Haraqija thotë se janë ballafaquar me situata edhe më të rënda gjatë të kaluarës, ndërsa ka rikujtuar porositë e moçme të Rugovës.

“Na ka lënë Presidenti Rugova një thënie, që duhet të kemi durim”.

“Jemi mësuar të përbijmë edhe ujë të nxehtë. Në shumë raste deri më sot, prej vdekjes së Presidentit Rugova, i kemi provuar të gjitha”.

Astrit Haraqija, më tutje, duke folur për Klan Kosova, ka pohuar se Ukë Rugova këto ditë kishte ndërmarrë një iniciativë që ta bashkojë LDK’në, që ta kthejë “Listën Ibrahim Rugova” në LDK, e po ashtu edhe Fatmir Sejdiun.

“Nuk janë as 24 orë që janë afruar të gjitha çështjet që të jemi bashkërisht në LDK, dhe të mos ketë përçarje. Uka e di që ka marrë këtë mision që t’i afrojë të gjitha figurat kyçe të LDK’së dhe të shkojmë bashkërisht përpara”.

“Unë po besoj që edhe Z.Mustafa e ka shprehur gatishmërinë që të jemi bashkërisht të gjithë. Të njëjtën e ka shprehur edhe Z. Sejdiu. Nuk jam zëdhënës as i Z.Mustafa e as i Z.Sejdiu, por në bazë të bisedave që kam pasur, të gjithë janë që të bëhemi një ekip dhe të shkojmë grumbull në zgjedhjet parlamentare”.