Unë jam Baba i Mitrovicës
Agim Bahtiri premton më shumë se 15 mijë vende pune, nëse nuk e pengon Qeveria. Thotë se është “Baba i Mitrovicës. Këmbëngul se nuk do ta lejojë privatizimin e Trepçës. Përsërit se i ka milionat dhe zbulon me krenari se Jasharajt i kanë prerë dy desh për të.

Lajme
Agim Bahtiri i është kthyer edhe një herë rrëfimit të tij triumfues për zgjedhjet e fundit lokale, duke shpjeguar për mënyrën e fitores në garën për të parin e Mitrovicës.
Në një intervistë për emisionin Info Magazine të Klan Kosovës, Kryetari i Mitrovicës ka pohuar se do ta mbajë premtimin për krijimin e 15 mijë vendeve të punës, duke thënë se numri do të rritej sikur të mos kishte pengesa nga Qeveria e Kosovës.
“Nuk kam pasur plan që të kandidoj për Kryetar të Mitrovicës. Por, duke e parë gjendjen në qytet, kam vendosur të vij nga jashtë dhe të djeg kartën e fundit dhe të kandidoj vetën”.
Ai e konsideron vetën si “Baba i Mitrovicës.” Ndonëse ka pranuar se ka pasur ndihmë në zgjedhjet lokale, thotë se garën për Kryetar e ka fituar vetë.
“Duhet të jesh Kryetar, apo Kryesues, apo Baba i gjithë atyre që ta kanë dhënë ose jo votën”.
“Mua m’u bashkuan të gjithë në luftë për të mirën e Mitrovicës, por unë e kam fituar vetë betejën”.
“Oferta ime ka qenë ndryshe, si nata me ditën, në krahasim me Avni Kastratin, dhe njerëzit janë përqendruar të më votojnë, pasi më kanë besuar”.
“AKR nuk kishin arritur të fitojnë pa mua. I kam thënë Behgjet Pacollit që nga fillimi se Mitrovica është e imja dhe se nuk ka arsye të jetë prezent të më ndihmojë në fushatë”.
“Jam i vetëdijshëm se çfarë kam premtuar, por nëse nuk më pengon Qeveria e Kosovës, unë do t’i krijoj më shumë se 15 mijë vende pune”.
“AKR nuk është e fuqishme të marrë vendime në Qeveri, pasi që ka pak Ministra dhe prezencë të vogël”.
“Të gjithë partnerët biznesorë nga Azia, do të vijnë të investojnë në Kosovë, pasi që Kosova është më afër këtyre investitorëve. Kjo do të ndodhë pasi që Mitrovica të shpallet zonë e lirë e ekonomike”.
Ndërkohë është shprehur i bindur se Kombinati Metalurgjik “Trepça” nuk do të privatizohet.
“Nuk duhet që AKP të menaxhojë Trepçën, pasi që nuk kanë lidhje se as ku i bije ajo, por duhet që këtë ta bëjë menaxhmenti i këtij gjiganti”.
“Nuk do të privatizohet Trepça, nuk ka për të ndodhur kurrë. Çdo pëllëmbë toke në Mitrovicë është përgjegjësi e imja dhe do të mundohem me çdo mundësi që kam që ta mbroj atë”.
Agim Bahtiri, duke u rrëfyer në Info Magazinë të Klan Kosovës, ka folur sërish, me shumë qejf, për pasurinë e tij të madhe.
“Pasuria ime është dhjetëra milionëshe”, ka thënë ai
Ai, po ashtu, i ka komentuar edhe barsoletat e bëra për të.
I pyetur se si vlerëson barsoletat se qytetarët nuk po mund të dalin nga shtëpia, sepse po frikohen mos Agim Bahtiri po i futë në punë, ai ka thënë: “Ata të mos frikohen, sepse unë të gjithë qytetarët i përqafi”.
Duke treguar që udhëton pa përcjellje, ai ka rrëfyer edhe për një vizitë që ia ka bërë Familjes Jashari në Prekaz.
“Unë shkoj gjithandej vetë. Kam qenë në Skenderaj dhe në Prekaz në Familjen Jashari, dhe ta them të vërtetën, i kanë prerë dy desh’ për mua”.