UP do të shpërblejë punimet e dyshimta!

Para senatorëve të Universitetit të Prishtinës këtë javë pritet të dalë për votim një rregullore që barazon punimet e mirëfillta shkencore me ato të dyshimta. Ajo u jep 15 pikë punimeve të publikuara në revista me impakt faktor, ndërkaq me 10 poenton secilin punim të publikuar në ndonjë revistë tjetër ndërkombëtare.

Lajme

14/05/2014 09:15

Universiteti i Prishtinës ka hartuar një rregullore të procedurave vlerësuese për zgjedhjen dhe avancimin e personelit akademik, e cila mundëson poentim të lartë edhe të punimeve shkencore të dyshimta, shkruan “Koha Ditore”.

Tri punimet e ish-rektorit Ibrahim Gashi, sipas rregullores, tërheqin pikë sa dy që botohen në revista me impakt faktor. Nevoja për t’u precizuar procedura e përzgjedhjes së stafit akademik, përfshirë dhe vlerën që duhet pasur në këtë proces puna shkencore, është shtruar pas skandalit të mashtrimit që pati bërë ish-rektori Gashi.

Menaxhmenti i ri i UP-së nuk ka krijuar një instrument për identifikimin e revistave korruptuese. Rregullorja që pritet të qitet për votim në Senat këtë javë nuk përmban ndonjë dispozitë që do të linte pa ndonjë poen publikimet në revista të këtilla, shkruan KD.