UP është politizuar skajshëm
AAK ka reaguar ndaj aferave të ditëve të fundit në Universitet dhe ka kërkuar ndaljen e “trendit të degradimit” të universitetit më të madh në vend. Sipas AAK, UP është politizuar skajshëm për nevojat e partisë në pushtet.

Lajme
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar nga Senati dhe Bordi i Universitetit të Prishtinës që të marrin vendime konkrete për zbardhjen e situatës së krijuar në këtë institucion.
Kjo parti ka reaguar ndaj aferave të ditëve të fundit në Universitet dhe ka kërkuar ndaljen e “trendit të degradimit” të universitetit më të madh në vend.
“Universiteti ”Hasan Prishtina”, si bartës i të gjitha ngjarjeve të mëdha historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova, vazhdon të mbetet në një krizë të thellë për shkak të qeverisjes joefektive dhe politizimit të skajshëm për nevojat e partisë në pushtet”.
“Trendi i degradimit në vend që të stopohet, po vazhdon me intensitet të shtuar, me trefishimin e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë, mosrespektimin e konkursit për studimet e doktoraturës, pranimin e personelit arsimor edhe për lëndët që nuk ekzistojnë, duke kulmuar me rastin e fundit, aprovimin e gradave shkencore bazuar në punimet false”.
“AAK kërkon nga Senati si organ akademik dhe Bordi i UP’së si organ qeverisës, të dalin menjëherë me vendime konkrete, për zbardhjen e situatës së kërkuar dhe vënies para përgjegjësive të bartësve të këtyre dukurive, të cilat minojnë të drejtën universale të të rinjve tanë për arsim cilësor”.
“Në situatën e krijuar Bordi i UP duhet të zbatoj menjëherë kompetencat që i janë dhënë me Statutin e UP-së, shqyrtimin e zbatimit të nenit 20 të Statutit të UP-së, për Rektorin Gashi dhe nenin 142 të Statutit për të gjithë profesorët që kanë përfituar grada akademike me rrugë jo ligjore”, thuhet në reagimin e AAK’së.