Vajzat e rrëmbyera “bëhen” myslimane (Video)

Grupi terrorist nigerian Boko Haram ka lëshuar një video - mesazh në të cilin shihen disa nga qindra nxënëset që janë marrë peng, dhe ku ofrohet lirimi i tyre në shkëmbim të të burgosurve.

Bota

12/05/2014 14:35

Abubakar Shekau, udhëheqës i grupit militant, tha gjithashtu se vajzat derisa ishin të kidnapuara, ishin konvertuar në Islam. 

Agjencia e lajmeve France-Presse sot tha se kishte parë një video 17 –minutëshe në të cilën tregohen rreth 100 vajza, në një vend të panjohur, të veshura me mbulesë dhe duke u lutur. 

Tri prej vajzave u raportua se shihen duke folur në video, në të cilën njëra prej tyre thotë se janë mirë dhe nuk janë maltretuar. 

Dy vajzat kanë deklaruar se ishin të krishtera dhe se janë konvertuar në islam, ndërsa e treta tha se ajo është myslimane. 

Në një pjesë të veçantë të videos, Shekau thotë se vajzat do të mbeten në robëri derisa qeveritarët nigerian nuk ndërmarrin ndonjë veprim duke liruar militantët e burgosur të Boko Haram. 

Ka shqetësime se vajzat mund të jenë të ndara në disa grupe, dhe se disa prej tyre mund të jenë kontrabanduar jashtë vendit.

Veprimet e këtij grupi terrorist, kanë nxitur reagime nga e gjithë bota, ku kërkohet lirimi dhe kthimi në shtëpitë e tyre të vajzave nigeriane.